FOTO/ Rama: Turistët e huaj zbukurojnë kurorën e Urës së Mesit në Shkodër, një ikonë e rilindur e historisë
Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit foto të turistëve që kanë vizituar Urën e Mesit në Shkodër, ku shkruan edhe se tashmë kjo arkitekturë është një ikonë e rilindur e historisë.
”Vizitorët dhe turistët e huaj zbukurojnë edhe kurorën e Urës së Mesit në Shkodër, një ikonë e rilindur e historisë dhe arkitekturës së shek të XVlll-të, tanimë e restauruar me të gjithë kujdesin e nevojshëm dhe e kthyer në një objekt tërheqës turistik”,-shkruan Rama.
Ura e Mesit është një ikonë e bukur e qytetit, ndërtuar në vitin 1768. Me këtë rast vizitorët vendas e të huaj kanë rastin të zbulojnë një gur të çmuar të historisë dhe arkitekturës së shek. XVlll. Falë ndërhyrjes së kohëve të fundit prej Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është kontribuar në rritjen e atraktivitetit të kësaj perle historike, duke e bërë atë një pikë të rëndësishme të vizitave turistike në Shkodër.
Ura e Mesit në Shkodër, është Monument Kulture. Restaurimi përfshiu pjesën hyrëse të urës për sistemimin me kanale të shkarkimit të ujërave të shiut, por edhe kapuçimin e të gjithë parapetit të urës në të dy krahët e saj.