FOTO/ Zbulohet shkaku i zjarrit të pallatit, Goxhaj: Flakët nisën nga kondicioneri në papafingo

Zjarri në pallatin 10-katësh në rrugën “Sali Butka” në Tiranë, ka nisur nga një shkëndijë elektrike nga kondicioneri në katin e sipërm të papafingos. Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, theksoi se nga pamjet filmike dhe verifikimet paraprake, është arritur në konkluzion se nga kondicioneri zjarri është përhapur në banesë dhe më pas në katet e tjera të ndërtesës.

“Nga pamjet dhe nga të gjitha ekspertizat që kemi bërë ditën e sotme, mendojmë që zjarri ka nisur në këtë pjesë të ndërtesës ku ndodhet edhe papafingo. Mendoj se zjarri ka nisur nga kondicionerët, kemi dhe pamjet me video në momentet e fillimit të zjarrit.

Sot kemi qenë edhe me drejtuesit e Komisariatit Nr.2, por do të shikojmë edhe videot e tjera nga bizneset aty pranë, për t’u siguruar për vatrën e zjarrit. Me 90 për qind zjarri ka rënë në katin ku ndodhet papafingo, në katin e banesës së djegur”, sqaroi Goxhaj.

Ai tha se pallati ka qenë i pajisur me të gjitha masat e mbrojtjes nga zjarri, si hidrantët dhe pompat.

SHKARKO APP