Fotot nga Morgu, Paloka: Nuk kanë dalë nga PD! Kjo që ndodh është makabritet
Publikimi i fotove nga Morgu i Tiranës, ku shiheshin viktimat e shkaktuar nga Covid-19 të shtrirë në tokë, ende është një temë që përbën debat.
Sakaq, nënkryetari i PD Edi Paloka ka mohuar se këto foto kanë dalë nga Partia Demokratike, ashtu sikurse u përfol, ndërkohë që e ka cilësuar këtë gjendje si makabre.
“Kanë dalë në media, nuk është e vërtetë që kane dalë nga PD. Kjo s’ka rëndësi, madje e përgëzoj atë që i ka bërë ato fotografi. Është etike apo jo, kjo është një temë tjetër. Është e rëndë sepse janë foto të vërteta. Është e rëndë se po ndodh, jo pse ajo që po ndodh denoncohet. Turp dhe makabritet është ajo që ndodh, jo denoncimi. Rama gjithmonë merret me denoncuesin dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me këto foto”, tha Paloka.
Rama kërcënon Prokurorinë
Akuzat e kryedemokratit Lulzim Basha për fshehje të numrit të viktimave, ngjallën reagime të shumta nga ana e qeverisë dhe njëjtë edhe nga një përfaqësi mjekësh që i hodhën poshtë ato.
Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka treguar se kushërira e tij, pedagogia e Universitetit të Ekonomisë, Irena Bogdani që u nda nga jeta pak ditë më parë, është kuruar për Covid, por nuk rezulton në listat e spitalit si viktimë nga pandemia.
“Vajza e tezes u mjekua për Covid dhe humbi jetën e intubuar në spital. Nuk rezulton në asnjë dokument zyrtar dhe prisja që në komunikatat e përditshme për rastin e Irenës (Bogdani). Më pas kur u interesuam rezultoi që nuk ishte futur fare në viktimat e Covidit. Kur unë kam një rast të tillë në shtëpi, çfarë pret më tepër, me një rast publik për më tepër, me një personazh të njohur, po qytetarët e tjerë? Kjo më bindi te ajo që deklaron Basha.
Ai ka dokumentat e veta që janë marrë direkt nga spitali dhe nuk diskutohet vërtetësia e tyre“, ka thënë Paloka për RTV Ora.
Paloka ka vijuar më tej, teksa ka thënë se Kryeministri Edi Rama po kërcënon Prokurorinë që të mos zhvillohen hetime në lidhje me këtë ngjarje.
“Nuk është rasti i parë që Rama kërcënon drejtësinë, gjykatat. Ky është kërcënim i hapur. Padia është publike dhe në raste të tilla Prokuroria vepron vetë. I është bërë thirrje Prokurorisë të hetojë dhe mjafton që të verifikohen dokumetat e Morgut në spital. Është kaq e thjeshtë, të marrë dëshmitarë, të pyesë. Rama e di se çfarë rezultatesh do të kishte nëse një Prokurori serioze dhe e pavarur do të shkonte të hetonte, prandaj e bën atë kërcënim.”
Pajisje ECMO?
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka gjatë një interviste për RTV Ora ka njoftuar se nuk gjendet asnjë pajisje ECMO në spitalet shqiptare.
Sipas Palokës, kjo pajisje që oksigjenon gjakun në trupin e njeriut është shumë e rëndësishme, ndërkohë që ka shtuar se mungesa e saj është një nga arsyet përse shqiptarët zgjedhin të kurohen në Turqi.
“ECMO është një pajisje që bën oksigjenimin e gjakut jashtë trupit të njeriut. Është si pajisjet e dializës dhe të njëjtin funksion bën ECMO për pastrimin e gjakut. Kjo është vërtetuar që shpëton jetë. Për këtë arsye shumë shqiptarë që kanë mundësi largohen dhe ikin në Turqi.
Nuk ka asnjë pajisje të tillë dhe kushton vetëm 30 mijë euro. Kjo është më e tmerrshmja dhe shpëton jetë. Në momentin që pacienti intubohet është hapi i fundit dhe është fatalitet. Gati 100% e pacientëve të intubuar në Shqipëri shkojnë drejt vdekjes. Pikërisht kjo pajisje shpëton këto pacientë që janë në shkallën e fundit”, tha Paloka.