Fotot nga morgu, Vasili: Rama po tenton të justifikohet, por Shqipëria ka kod që respekton të vdekurit
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për pamjet me kufomat në tokë, deklaroi se nuk ka justifikim për këtë veprim.
Vasili theksoi se Shqipëria ka një kod, me të cilin respekton dhe nderon të vdekurit.
“Ndjej dhimbje për faktin si u menaxhua pandemia. Ka pasur arrogancë për të mos dëgjuar profesionistët. Rama tha më 27 maj se unë nuk flas për Covidin. Kryeministri ka pasur potencial të jashtëzakonshme njerëzore dhe dështoi. Këta çirren duke thënë se bëjnë administrimin më të mirë.
Për trupat e vdekur që gjendet në tokë në morg, një kryeministër normal thotë se ishte një gjë shumë e rëndë. Këta paguajnë koncesione me para pa fund e nuk rregullojnë një morg. Pamjet me kufoma në tokë, nuk ka justifikim . Shqipëria ka kod që respekton të vdekurit”, tha Vasili.
Duke folur për zgjedhjet brenda LSI-së, Petrit Vasili nënvizoi se ishin më të rëndësishmet të mbajtura ndonjëherë.
“Këto zgjedhje në LSI, për mënyrën si u zhvilluan dhe mesazhin që përcollën, përcollën një mesazh që shkonte përtej zgjedhjeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Votimet u bënë nën koronavirus, por ne po bëjmë përpara duke marrë masa. Zgjedhjet ishin mesazh përtej LSI-së. Mesazhi se një pandemi duhet të menaxhohet më mirë, se ekonomia duhet të jetë më e fortë. Këto ishin zgjedhjet më të rëndësishme në LSI. Raporti ynë me opozitën është konsoliduar si raport shembullor. Zgjedhjet ishin transparente”, u shpreh Vasili.
Duke folur për rolin e Komitetit Teknik, Vasili vlerësoi se situata nga koronavirusi duket se është jashtë kontrollit.
“Nuk e pranoj fjalën “rëndim i lehtë”, është idiotësi. Përdorin togfjalësh idiote. Keni dëgjuar ndonjëherë që universitetet “nuk dihet se kur hapen”. Situata është jashtë kontrollit. E rithem se kemi pasur potenciale të mëdha, por nuk janë dëgjuar profesionistët. Kriteret shkencore nuk i përcakton politika”, përmbylli Vasili.