FRD: Po na vjedhin votat

FRD pretendon se ne Gjirokaster u jane tjersuar votat per Keshillat Bashkiak nga komisioneret e partive kryesore.

Deklarata e Plote e FRD

Me shqetësim të thellë për deformimin e vullnetit politik të zgjedhësve të pasqyruar tek vota, Fryma e Re Demokratike, dega Gjirokastër, denoncon përpara opinionit publik rastet e përsëritura të tjetërsimit të votës.
Duke qenë se Fryma e Re Demokratike ka vetëm të drejtën e vëzhguesve të atashuar pranë KZAZ-ve, e vetmja mundësi për të ndjekur ecurinë e procesit të numërimit ishte pranë monitorëve të vendosur për këtë qëllim.
Pas këmbënguljes sonë që vota të tregohej qartë në ekran, që u përcoll me neglizhencën e pjesëtarëve të tavolinave të numërimit, më në fund mundëm të ndiqnim numërimin. Komisionerët pretenduan që fleta e votimit nuk mund të fokusohej nën kamera për arsye teknike.
Vazhdimësia tregoi një deformim të rëndë të votës në dëm të Frymës së Re Demokratike. Në njërën nga tavolinat e numërimit vëzhguesi numëroi 19 (nëntëmbëdhjetë) vota, dhe në procesverbal u shënuan 5 (pesë). Në një tavolinë tjetër, vëzhguesi numëroi në monitor 9 (nëntë) vota, ndërsa në procesverbal rezultojnë vetëm 2 (dy).
Pas këmbënguljes sonë për verifikim nga komisioni i numërimit të votave na u tha që duhet të kishim folur më parë. Por procesverbali na është dhënë me shumë vonesë. Mungesën e transparencës për të deklaruar numrin e kutisë së votimit, etj., po ia atribuojmë mostrajnimit teknik të komisionerëve dhe nivelit të tyre që le për të dëshiruar. Në mungesë të vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë që duhet të ishin të pranishëm, Fryma e Re Demokratike, dega Gjirokastër, i drejtohet mediave dhe opinionit publik. Vëzhguesit e kësaj force u tërhoqën nga procesi.
Deformimi i vullnetit politik të zgjedhësve detyrimisht do të sjellë pasoja. Shpresojmë që ky i Gjirokastrës të jetë një rast i izoluar. Fryma e Re Demokratike, duke dënuar çdo akt të deformimit të votës, shpreh keqardhje për çdo veprim të kësaj natyre dhe kërkon ndëshkimin ligjor të të gjithë përgjegjësve të këtyre akteve me pasoja të rënda për vullnetin demokratik.
 

SHKARKO APP