Fredi Beleri në burg, afati që djeg mandatin si kryetar i Himarës
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve certifikoi këtë javë rezultatin për bashkinë e Himarës, ku fitues doli kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, por që vijon në burg nën akuzën e shitblerjes së votës. Anëtari i Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Dritan Çaka tha se diskutimet lidhur me mandatin e Belerit kanë nisur që në ditën e arrestimit.
“Duke qenë se është me masë sigurie “arrest me burg”, nuk kemi vendim përfundimtar të formës së prerë për ta shpallur fajtor, ai përfiton të drejtën për tu shpallur fitues nga KQZ, gjithmonë nëse nuk do të ketë ankime si në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve dhe në Kolegjin Zgjedhor. Mandatin përfundimtar nuk e merr dot para fillimit të gushtit, si dhe gjithë të tjerët se në fillim të gushtit u përfundon mandati kryetarëve aktual të bashkive.
Nëse zoti Beleri do ngelet në burg deri atë datë, ligji për qeverisjen vendore e ka përcaktuar qartë se çdo kryetar bashkie duhet të bëjë betimin dhe nëse nuk bën betimin nuk e merr detyrën e kryetarit të bashkisë. Nëse zoti Beleri deri në atë datë nuk paraqitet në Këshillin Bashkiak për të bërë betimit, nuk e merr atë mandat.
Mund të ribëhen zgjedhjet për kryetarin e bashkisë, dhe të caktohen kandidatë të tjerë. Por duhet pritur dhe një periudhë tre mujore se si do procedohet nga pikëpamja ligjore me zotin Beleri. Betimi për mua është detyrues dhe është shkak për mos marrjen e mandatit. Nëse do jetë në masë sigurie “arrest me burg” e ka të pamundur për të bërë betimin dhe ushtruar detyrën”.