Frroku: Do të fitoj betejën ligjore, sulmi politik në prag të zgjedhjeve
Deputeti Mark Frroku, me anë të një postimi në Facebook bën me dije se ky sulm politik vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve. Ai nënvizon faktin se shumë shpejt do të fitojë betejën ligjore, pasi askush nuk e ndalon për të realizuar projektet e tij.
"Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe mbështetës të Partisë Kristian Demokrate!
Sot, Kuvendi i Shqipërisë mori një vendim të verbër për të pranuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm, për të më hetuar me disa akuza të cilat i kam kontestuar tërësisht që në fillim.
Unë e kam deklaruar që kur kam marrë mandatin e deputetit se përballë ligjit, jam një qytetar pa imunitet, por nuk mund të mos denoncoj forcërisht dhe publikisht standardin që ka ndjekur Prokurori i Përgjithshëm për të më hetuar mua, si dhe të shpreh mos dakordësinë time me kolegët deputetë që e kanë miratuar këtë kërkesë, pa marrë asnjë provë të qenësishme. Ky është një standard i rrezikshëm për këtë Parlament, i cili sot është i shantazhuar nga organi i akuzës, në shprehjen e vullnetit që i ka deleguar populli. Kjo është një shenjë e rrezikshme për të ardhmen e institucioneve dhe politikës shqiptare.
Dua t’iu garantoj se unë do ta fitoj betejën ligjore shumë shpejt, pasi askush nuk më ndalon për të realizuar projektet e mia, të mbështetësve të mi dhe të gjithë kristian-demokratëve shqiptarë.
Ky sulm politik vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore, por unë dua ti ftoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PKD-së, që të jenë më të motivuar se asnjëherë tjetër, për të shënuar fitoren e madhe më 21 qershor 2015. I juaji, Mark Frroku", përfundon deklarata.