Frroku: PKD në koalicion me PS për zgjedhjet lokale
Partia Kristian-Demokrate e drejtuar nga Mark Frroku, do jetë sërish pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Kjo të paktën ka qenë dëshira dhe vendimi deri në muajin shkurt i kësaj force, para se të hapej çështja “Doshi”, çka do të sillte dhe arrestimin e parë të kryetarit të kësaj force.
Diçka e tillë është bërë e ditur nga vetë kryetari i kësaj force, Mark Frroku, në raportin financiar që ai ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku raportohen të dhënat për vitin 2014.
Ndërmjet të tjerave, Frroku në këtë raport thekson faktin se kjo forcë politike është pjesë e mazhorancës qeverisëse dhe do jetë pjesë e saj edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Partia Kristian-Demokrate është pjesë e koalicionit qeverisës të vendit. Si parti parlamentare, kemi degët dhe strukturat tona në të gjitha rrethet e qarqet e vendit. Sipas marrëveshjeve me forcat e tjera politike të koalicionit të shumicës, do të marrim pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor që do të mbahen në qershorin e këtij viti”, – thuhet në këtë raport, që mban firmën e kryetarit Mark Frroku.
Nuk dihet nëse ende PKD i përmbahet këtij zotimi, pasi tashmë marrëdhëniet e saj me mazhorancën qeverisëse janë cenuar rëndë pas dy autorizimeve që ajo lëshoi për arrestimin e kryetarit të saj, Mark Frroku. Por natyrisht, ky bashkëpunim nuk varet vetëm nga PKD-ja, por edhe nga vetë PS-ja, e cila duket se do e ketë të vështirë të pranojë në koalicionin e vet një forcë politike që tashmë kryetarin e saj e ka në burg të akuzuar për vrasje.
Partia Kristian-Demokrate mori pjesë në zgjedhjet e qershorit 2013 për Kuvendin e Shqipërisë me kandidatët e saj në të gjitha qarqet e vendit. Në qarkun e Shkodrës fitoi një deputet (Mark Frroku).
Pas zgjedhjeve të qershorit 2013, kryetari i Partisë, Dhimitër Muslia dha dorëheqjen dhe Këshilli Kombëtar i Partisë zgjodhi Mark Frrokun kryetar të Partisë dhe Dhimitër Muslia, Sekretar të Përgjithshëm të Partisë.
Për vitin 2014, PKD-ja ka raportuar se ka pasur të ardhura 4.702.707 lekë, shumica nga Buxheti i Shtetit, të cilat duket se nuk i ka shpenzuar të gjitha, pasi në fund të vitit i kanë tepruar 1 449 528 lekë.