Frroku shkon në Kuvend i shoqëruar me polici
Deputeti, Mark Frroku, do të jetë sot në seancë parlamentare, e cila pikë të parë të rëndit të ditës ka shqyrtimin e raportit të Këshillit të Mandateve ku është miratuar kërkesa e Prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit kristiandemokrat.
Nga shtëpia, ku ndodhet në ‘arrest shtëpie” Frroku është shoqëruar për në Kuvend me makina policie.
Drejtoria e hetimit dhe ndjekjes penale në Prokurorinë e Përgjithshme ka lëshuar lejen e veçantë për Mark Frrokun, një procedurë e domosdoshme, për shkak se ai është në arrest shtëpie dhe nuk mund të lëvizë pa lejen e organit të hetimit.
Në dokument theksohet se deputeti Mark Frroku duhet të marrë pjesë në mbledhjen e seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Shkresa e organit hetimor i është përcjellë edhe Policisë së Tiranës, efektivët e së cilës duhet të kryejnë shoqërimin e deputetit Mark Frroku, sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë, që e la në arrest shtëpie Frrokun për akuzën e dëshmisë së rreme.