“Fryma e Skënderbeut është ende gjallë”, Shehu: Shumë domethënëse e stimuluese thënia e Ambasadores Yuri Kim
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu përshëndet qëndrimin e mbajtur nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi.
Përmes rrjeteve sociale, Shehu shprehet se shprehja e diplomates amerikane “Fryma e Skënderbeut është ende gjallë”, është shprehje shumë domethënëse dhe stimuluese për shqiptarët.
“Shumë domethënëse e stimuluese thënia sot e Ambasadores Yuri Kim, “Fryma e Skënderbeut është ende gjallë”! Një shprehje nga e cila të lindin shumë mendime të trishta kur e dëgjon në këto periudha kaq të vështira për vendin. Por, gjithashtu, një shprehje, që jo vetëm thjesht kërkon të krijojë optimizëm e besim në të ardhmen, por tenton të na ringjallë krenarinë kombëtare, të na kujtojë atë sa vepra të mëdha ka mundur e mund të bëjë ky popull, përkatësinë tonë, modelin e të ardhmes e qëllimin e përpjekjeve. Sepse me atë figurë qendrore të historisë sonë mijëra vjeçare, përmblidhen e gjejnë vend liria jonë, sovraniteti, përkatësia jonë europiane e Perëndimore, roli që mund të luajmë, siç luajtëm dikur si komb për veten, Rajonin, Europën! Besimi në fitore pavarësisht sakrificave, ashtu si veproi Gjergji i Madh përpara atij invazori mizor. Falëminderit Zonja Ambasadore për çfarë na kujtuat, për sa vlerësuat Heroin tonë e për mesazhin që dhatë me këtë!”, shprehet ish-deputeti Tritan Shehu.
Mesazhi i ambasadores amerikane
E pranishme në takimin e përbashkët për Reformën në Drejtësi, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e vuri edhe njëherë theksin tek rëndësia që ka implementimi i kësaj reforme, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin.
Në fjalën e saj, ambasadorja e SHBA-së tha se Amerika është krah për krah me Shqipërinë sa i takon kësaj reforme.
“Rëndësinë e Reformës në Drejtësi, në sulmin që ajo do t’i japë korrupsionit. për të gjithë ne që ndodhemi këtu në këtë sallë, të gjithë jemi shërbyes publik dhe jemi mbledhur këtu për të shënuar kauzën e nderuar drejtësi për të gjithë. Ne mbartim një privilegj të madh për të siguruar besimin e publikut se do t’i bëjmë punët tona me integritet. Në Amerikën themi: shërbejmë drejtësi. Por nëse shikon rrënjën e shprehjes, do të thotë një çështje në të cilin sistemi ligjor jep një trajtim të drejtë. Në reformën në drejtësi jemi me ju krah për krah. Për mua ndërsa shoh këtë sallë me njerëz të drejtësisë, mendoj për dy personalitet, Skënderbeun dhe Georg Ëashington. Unë besoj që shpirti, fryma e Skënderbeut është end gjallë këtu në Shqipëri. Dhe besoj plotësisht që si fryma e Skënderbeut dhe George Ëashington janë të gjalla këtu dhe dua t’u shpreh që në këtë frymë të jepni drejtësi për të gjithë”, u shpreh ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.