“Fun Run” mbledh bashkë 2000 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, Veliaj ndan çmimet e para: “Mirëpresim nesër 4000 vrapues nga e gjithë bota”
Një ditë para aktivitetit të madh sportiv “Maratona e Tiranës”, në kryeqytet u zhvillua sot gara e vrapimit “Fun Run Tirana” që mblodhi së bashku 2000 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të cilët vrapuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me mesazhin sensibilizues për edukimin e të rinjve përmes sportit.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi nxënësit pjesëmarrës dhe mësuesit që i motivuan për t’u bërë pjesë e kësaj gare që ka si qëllim angazhimin e të rinjve në sport dhe që të përgatiten për të garuar pas disa vitesh edhe në Maratonën e Tiranës.
“Jemi shumë mirënjohës për të gjithë ata mësues që janë super të dedikuar në klasat sportive, në jetën e shëndetshme dhe që gjenerata e re e çunave dhe gocave të na bëjë krenarë në të gjitha garat, edhe në garën për 10-ta edhe në garën për të qenë vullnetarë apo në garat sportive. Faleminderit të gjithë zyshave dhe profesorëve”, tha Veliaj.
Veliaj dha mesazhin e tij për të rinjtë se ngjarje të tilla sportive përveçse promovojnë aktivitetin fizik dhe shëndetin, janë një mundësi e mirë për t’u socializuar më tepër.
“Të gjithë garuesit fitues që morën çmime na dhanë një super shembull që gara dhe vrapi patjetër që është konkurrencë por është dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të takuar njëri – tjetrin për të krijuar shoqëri të reja dhe për të pasur një jetë të shëndetshme”, tha kreu i Bashkisë.
Një falenderim të veçantë Veliaj e pati për të gjithë banorët e Tiranës, të cilët, janë treguar bashkëpunues në mënyrë që këto dy ditë Tirana të jetë tërësisht e dedikuar ndaj sportit, duke mikpritur nesër në Maratonën e Tiranës 4000 vrapues nga disa vende të botës.
“Mbi të gjitha shpresoj shumë që ashtu siç menaxhuam sot maratonën e të rinjve ashtu ta menaxhojmë nesër maratonën e profesionistëve. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që kanë treguar durim, që kanë spostuar makinat, që kanë evituar të dalin dhe të shtojnë trafik sidomos në këtë ditë, që këtë fundjavë qytetin ia kemi dedikuar totalisht sportistëve, 4000 turistë që na kanë ardhur dhe që janë vrapues profesionistë”, shtoi ai.
Fituesit e tre vendeve të para për kategorinë e vajzave janë si më poshtë:
-Çmimi I parë, Elisabeta Marku nga shkolla Qemal Stafa; Rezultati: 2.25, 32
-Çmimi I dytë, Antonita Çuni, shkolla Siri Kodra; Rezultati: 2.56.20
-Çmimi I tretë, Darsia Vathi, shkolla Fan Noli; 3.05.06
Fituesit e tre vendeve të para për kategorinë e djemve janë si më poshtë:
Leonel Mesi, shkolla Partizani; Rezultati: 1.59.00
Arbi Toti, shkolla Ismail Qemali; Rezultati: 1.59.09
Marjol Hoxhaj, shkolla Lidhja e Prizrenit; Rezultati: 2.04. 87