Fusha: Si peng i krimit dhe shërbëtore e oligarkëve, qeverisja ka hequr dorë nga përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve
Korodinatori i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë, Aldi Fusha deklaron se Kushtetuta dhe respektimi i saj janë në themel të një shteti normal. Por, thotë ai përmes rrjeteve sociale, pas vjedhjes masive të zgjedhjeve të 2017, në aleancë me krimin dhe si peng i tij, mazhoranca aktuale nuk ka reshtur së vepruari me arrogancë e paligjshmëri, duke dëmtuar rëndë institucionin e Parlamentit, duke uzurpuar institucionet e pavarura, duke injoruar Kushtetutën dhe dëmtuar ligjshmërinë, si themel i sistemit demokratik.
“Kushtetuta dhe respektimi i saj janë në themel të një shteti normal! 🇦🇱
Pas vjedhjes masive të zgjedhjeve të 2017, në aleancë me krimin dhe si peng i tij, mazhoranca aktuale nuk ka reshtur së vepruari me arrogancë e paligjshmëri, duke dëmtuar rëndë institucionin e Parlamentit, duke uzurpuar institucionet e pavarura, duke injoruar Kushtetutën dhe dëmtuar ligjshmërinë, si themel i sistemit demokratik.
Mungesa e legjitimitetit në qeverisje dhe paaftësia e saj kanë sjellë pasoja të rënda për individin, shoqërinë dhe vendin në tërësi.
Si peng i krimit dhe shërbëtore e oligarkëve, qeverisja ka hequr dorë nga përgjegjësitë për t’i ofruar qytetarëve shërbime publike (veçanërisht shërbime shëndetësore, arsim e infrastrukturë), duke ia dhënë ato me një kosto tepër të lartë prej miliarda eurosh e në mënyra jo-transparente klientëve të saj, duke rritur borxhin publik si asnjëherë më parë.
LSI ka një plan konkret për kthimin e vendit në normalitet demokratik, bazuar tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek zbatimi i Kushtetutës dhe pavarësia e institucioneve, tek funksionimi normal i sistemit gjyqësor dhe plotësimi i detyrimeve dhe kushteve për integrimin e vendit në Europë. “, shprehet koordinatori i LSI-së në Tiranë, Aldi Fusha.