Fushata, Kuvendi nuk do mblidhet të enjten në seancë
Seanca plenare e radhës e Kuvendit të Shqipërisë nuk do të zhvillohet këtë të enjte për shkak të mosmbledhjes së komisioneve parlamentare dhe mosshqyrtimit prej tyre të projektligjeve të planifikuara, thuhet në një njoftim për shtyp të parlamentit.
Angazhimi i deputetëve për fushatën e zgjedhjeve të 21 qershorit ka ulur ritmin e punës së komisioneve të përhershme, të cilat prej ditësh kanë shtyrë shqyrtimin e drafteve ligjore të qeverisë, të depozituara në Kuvend.
Javët e fundit, seancat plenare në parlament janë bërë arenë e përplasjeve politike mes palëve, të nxitura nga situata parazgjedhore, gjë që ka devijuar rendin e ditës së punimeve.