Gabriel Escobar: Të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit në Ballkan. Do të ketë sanksione të tjera
Korrupsioni është problemi kryesor në Ballkan, kështu ka thënë Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari special për Ballkanin, Gabriel Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Escobar është shprehur se sanksionet nuk janë mjeti kryesor i angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por se ato kanë efekt dhe se do të ketë edhe të tjera.
Duke folur për sanksionet e vendosura kundër anëtarit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe dy zyrtarëve të tjerë boshnjakë, pastaj kundër Milan Radoiçiçit dhe Zvonko Veselinoviçit në Kosovë, ai tha se nuk dëshiron që njerëzit të mendojnë se SHBA-të po angazhohen në rajon kryesisht përmes sanksioneve.
Escobar tha se ato sanksione nuk kanë për qëllim vende apo popuj të caktuar, por individë që janë thellësisht të përfshirë në korrupsion.
I pyetur nëse njoftimi për më shumë sanksione vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se po.
Politika dhe angazhimi i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor kanë qenë tradicionalisht të lidhura me pajtimin multietnik dhe integrimin në BE, tha ai, por se sfera e vëmendjes që ka marrë Ballkani Perëndimor në administratën amerikane ka ndryshuar vitin e fundit.
Escobar vuri në dukje se ka një përpjekje të ripërtërirë që Shtetet e Bashkuara të angazhohen në të gjithë mekanizmat që ishin të suksesshëm, dhe kjo, sipas tij, është të forcojë Marrëveshjen e Dejtonit, të mbështesë dhe rinovojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët e NATO.