Basha: Do sjell modelin e bashkëpunimit dhe jo të përbaltjes

Lulzim Basha është në garën për kryetar i PD-së, edhe pse zgjedhjet e 29 korrikut janë thjesht formale, sepse Basha fiton. Gjatë një takimi me demokratë në njësinë nr.4 në Tiranë, Basha bëri me dije se ai do të jetë politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual.

”Ky është misioni i ri i Partisë tonë. Një parti moderne që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë”,-shkruan Basha në një postim në Facebook.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.

Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës! Jemi shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë. E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.

Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes.

Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtuar status quo-në. Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt. Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfluktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë.

Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, tekas shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë.

Ky është misioni i ri i Partisë tonë. Një parti moderne, që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë.

SHKARKO APP