Gara për kreun e PD, kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët përballë Bashës
Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike ka zbuluar kushtet që duhet të plotësojnë të gjithë kandidatët që kërkojnë të marrin pjesë në garën për kryetarin e kësaj force politike. Në njoftimin e Komisionit thuhet se kandidatët duhet të kenë kontribut në parti, dhe të jenë aktiv në jetën publike të vendit.
Të gjithë personat që duan të marrin pjesë në garën për kryetar brenda PD-së, duhet të paraqesin kandidaturën e tyre deri në datën 22 Maj, kur është dhe afati i fundit.
Kujtojmë se zgjedhjet brenda PD-së do të mbahen në datën 13 Qershor, me kërkesë të sekretarit të përgjithshëm të kësaj force politike Gazment Bardhi, dhe me miratimin që i dha Kuvendi Kombëtar këtij propozimi.
Derimë tani i vetmi kandidat që është konfirmuar përballë Bashës publikisht, është Fatbardh Kadilli, ndërkohë që shumë e konsiderojnë garën mes tij dhe kryedmeokratit si farsë. Vetë Kadilli ka kërkuar dorëheqjen e Bashës, pasi sipas tij manipulimi në zgjedhjet e 25 Prillit nuk ishte aq i madh sa për të tjetërsuar rezultatin në favor të PD-së.
NJOFTIM I KOMISIONIT ZGJEDHOR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike me vendimin nr. 1, datë 17.05.2021 ka vendosur që të caktojë modalitetet për paraqitjen e kandidaturave për Kryetar të Partisë Demokratike.
Sipas pikës 4 të nenit 10 të Statutit të PD, zgjedhja apo caktimi në funksione brenda Partisë bëhet bazuar në:
– kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj;
– kontributit në fushata elektorale;
– kontributit profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në;
– aktivizimit në jetën politike e publike të vendit;
– mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe
– reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi.
Çdo kandidat, që plotëson kriteret statutore të mësipërme ka të drejtë të paraqesë kërkesën për konkurim pranë Sekretarisë së Komisionit, në selinë qëndrore të Partisë Demokratike, duke plotësuar Formularin e miratuar me vendim të Komisionit.
Kërkesa për kandidim duhet të paraqitet deri në datën 22 Maj 2021. Formulari gjendet në faqen zyrtare në internet të Partisë Demokratike ose mund të tërhiqet pranë Sekretarisë së Komisionit.
Për çdo informacion shtesë lutem kontaktoni me Sekretarinë e Komisionit në numrin +355 4 22 76 920.
KOMISIONI ZGJEDHOR
SELIA QENDRORE E PARTISË DEMOKRATIKE
Bulevardi Zhan D’Ark , Nr 11, Tiranë