Gara për kryetar, Basha: PD po riorganizohet për shqiptarët që nuk i përfaqëson ky sistem politik
Lulzim Basha vijon takimet në kuadër të zgjedhjeve që do të mbajnë për kreun e ri të Partisë Demokratike, ajo e vulës më 29 korrik. Kësaj radhe, Basha është ndalur në një takim me demokratët e Divjakës, ku ka prezantuar pikat e tij të programit, ndërsa thekson se PD-ja po riorganizohet për të qenë instrumenti i qytetarëve për të ndryshuar sistemin politik, por edhe për të përfaqësuar ata qytetarë që nuk i përfaqëson ky sistem politik
Postimi i plotë
Partia Demokratike po rioganizohet për të qenë në shërbim të shumicës së heshtur të shqiptarëve dhe instrumenti i tyre për ta ndryshuar këtë sistem politik që nuk i përfaqëson më. Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë rradhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë te njëjtat vlera me ne:
Për aleancën tonë me partnerët strategjikë;
Për luftën pakompromis ndaj korrupsionit;
Për pastrimin e politikës dhe për t’u dhënë fuqi shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me:
Listat e hapura;
Vetting-un në politikë;
Kufizimin e mandateve;
Votën e diasporës.
Me mbështetjen e demokratëve, përgjegjësia ime do të jetë, të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që beson në këto vlera. Me këto transformime ne synojme rritjen e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.
Për këtë arsye:
Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit. Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti. Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë. Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve. Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika!