Gazeta Shekulli bën diversion: Shpëtim Gjika pakt sekret me PD

Gazeta Shekulli e superdeputetit të Vlorës, Koço Kokëdhima, ka përforcuar sot zërat se arrestimi i kryetarit të Bashkisë së jugut, Shpëtim Gjika, është bërë për motive politike. Sipas Shekullit, Partia Demokratike po e nxit Gjikën të kandidojë si pavarur me qëllim që të përçajë votat e majta në Vlorë dhe të dalë ajo fituese në zgjedhjet lokale. Spekulimi i Shekullit shkon deri atje sa të flasë madje për takime mes përfaqësuesve të PD dhe Shpëtim Gjikës.

Ky diversion i trashë i gazetës Shekulli vërteton atë që vetë Gjika pati thënë për mediat se pas arrestimit të tij qëndronte dora e pushtetit që kishte vënë në lëvizje prokurorë kamikazë. Madje duke ironizuar kryeministrin Rama, Gjika përdori shprehjen "s'keni parë asgjë akoma" për të treguar lojërat e ulëta që sipas tij bëhen nga organi i akuzës.

Dihet se prej kohësh Edi Rama dhe Shpëtim Gjika thuajse i kanë ndërprerë marrëdhëniet mes tyre duke krijuar kështu dy linja të pushtetit socialist në Vlorë. Njëra e Koço Kokëdhimës që kërkon të imponohet dhe tjetra e Gjikës që vazhdon prej shumë vitesh. Për shkak të kësaj lufte të brendshme ka qenë e qartë se Rama nuk do ta rikandidonte Gjikën për një tjetër mandat në Vlorë dhe kjo ka qenë arsyeja pse dyshohej se Gjika mund të rikandidonte si i pavarur. Hamendësimet që e lidhnin këtë kandidim me arrestimin e kryebashkiakut kanë qenë të shumta, por Shekulli sot u ka dhënë atyre një bazë reale, të vërtetë. Frika nga një kandidim i Gjikës e ka detyruar gazetën e Kokëdhimës të prodhojë një lajm, që bie erë së largu, sikur prapa gjithë kësaj qëndron Partia Demokratike. Një diversion që do ta kishte zili edhe shiku i dikurshëm i Gazidedes nëse do të rilindte apo ringjallej.

Lajmi i Shekullit është vendosur në krah të një tjetër artikulli me gërma të mëdha sikur PD e Vlorës është kundër kryetarit Lulzim Basha, por një gjë të tillë nuk e sheh në asnjë rresht të intervistës me drejtuesin e degës, Moisi Meminaj. Mesa duket ethet e zgjedhjeve të 21 qershorit e kanë kapur fort kryeministrin Rama dhe mikun e tij Kokëdhima sa po e përdorin gazetën vend e pavend.

SHKARKO APP