Gazetarët në protestë, Çipa: Censurë, do ti kërkojmë Presidentit të mos e dekretojë
Në nisje të protestës së gazetarëve përpara Kuvendit të Shqipërisë, kundër paketës ”Antishpifje”, kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, u shpreh që në fillim se kjo paketë është e organizuar keq nga qeveria ”Rama 2”. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur veprimin tjetër të shoqatave të gazetarëve, nëse kjo paketë votohet sot në seancë, që është drejtimi tek Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për të mos e dekretuar këtë paketë, që ai e quan si censurë.
”Mënyra si është konceptuar ky ligj është e gabuar, sepse vetë mënyra si do funksionojë AMA nuk ka gjë tjetër veçse si e një agjencie censure. Penalitetet edhe në masën financiare janë drastike, të papërballueshme të gazetarëve. Kapacitete e tyre janë të pamjaftueshme. Ka dhe një gjë tjetër të shpërfilljes së lirisë së shprehjes. Mënyra si do merret masa nga AMA dhe kalimi menjëherë te sekuestrimi përmes përmbarimit, patjetër personi i prekur do ta çojë në gjykatë. Shpërfillja për t’iu drejtuar gjykatës është cënim i lirisë. Ne do t’i konsumojmë të gjitha mundësitë tona. Do t’i drejtohemi Presidentit për të mos e dekretuar. Do të bashkohet solidariteti i organizatave më të rëndësishme në botë, një rrjet i Helsinkit është bërë në unitet me ne për zhbërjen e disa çrregullimeve, që vihen re në draftin që pritet të kalojë sot”.
Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë këtë paketë me pretendimin se ajo nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online. Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje. Kundërshtarët e paketës theksojnë se ky vendim mund të merret vetëm nga Gjykata dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë kompetencat që i takojnë drejtësisë.
Komisioni Europian thotë se projektligji për shtypin në Shqipëri, megjithë ndryshimet që i janë bërë ditët e fundit, përsëri ngre shqetësime. Një zëdhënës i KE-së, i pyetur nga “Zëri i Amerikës” mbi projektligjin, tha se edhe varianti i fundit nuk merr parasysh një sërë rekomandimesh që janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
R.SH/Koha Jonë/