Gazetari Artan Hoxha: 3 të vrarë për parcelat e kanabisit në Shkodër, ja emrat

Gazetari Artan Hoxha  ka publikuar një mesazh tronditës në rrjetet sociale.

Sipas gazetarit Hoxha, dyshohet se dy persona nga fshati Vrith i Malësisë së Madhe janë vrarë pranë një parcele me kanabis.

Ndër të tjera, Hoxha shkruan se dhjetëra forca policore janë drejtuar që në orët e para të ditës në zonën e Razmës ku dyshohet se dhe ka ndodhur krimi.

Më tej Hoxha shkruan se ditën e djeshme ka patur të shtëna me armë zjarri.

Postimi i plotë i Gazetarit Artan Hoxha:

Ngjarje e rëndë në Malësinë e Madhe, policia në kerkim për trupat e 3 personave që dyshohen të jenë vrarë, për parcelat me kanabis…

Sa herë që kanabisi gjelbëron kodrat dhe malet e Shqipërisë, sigurisht pas tij, nuk vijnë vetëm milionat për botën e krimit dhe zyrtarët e korruptuar deri në palcë.
Bashkë me kanabizimin, vijne dhe viktimat e pazareve të prishura apo hesapeve të paqëruara.

Ndërsa javët e fundit, po e qarkoja territorin e vendit, nga jugu në veri, për të dokumentuar situatën me kanabisin, ajo që i trembesha më shumë, ishin pikërisht, viktimat e këtij narko-operacioni.

Sot pasdite më njoftuan se dy persona nga fshati Vrith dyshohen të jenë vrarë pranë një parcele me kanabis.

Largesia nga Shkodra, e vendit ku dyshohet të ketë ndodhur ngjarja, ma bëri më të vështirë marrjen dhe konfirmimin e informacionit.

Por dhjetëra forca policore ishin drejtuar që në orët e para të ditës në zonën e Razmës, ku dyshohej të kishte ndodhur krimi.

Vetëm pak minuta me parë munda të konfirmoj plotësisht se kemi të bëjmë me një ngjarje me përmasa tragjike.

Konkretisht më datë 3 tetor 2020, rreth orës 15:00, janë degjuar të shtena me armë zjarri nga banorë të zonës.

Fillimisht është dyshuar se të shtënat kane ardhur nga persona, që kanë kultivuar parcela me lëndë narkotike në disa zona të thella, në fshatin Vrith. Duke patur parasysh se bima është në fazën e pjekjes perfundimtare, parcelat ruhen nga roje të armatosur për të mbajtur larg grabitësit e kanabisit.

Por pak orë pas të shtënave është konstatuar se tre persona, të afërm dhe kushërinj me njëri-tjetrin, jo vetëm nuk janë kthyer në banesat e tyre, por janë zhdukur pa humbur gjurmë.

Menjëherë ka nisur kërkimi i të zhdukurve nga familjarët e tyre, dhe kur nuk janë gjetur, është kërkuar ndihma e policisë.

Nga burime zyrtare konfirmohet se personat e zhdukur prej 36 orësh, janë shtetasit, Vilson Pal Çutaj, i datëlindjes 20.11.1983, banues në fshatin Bajzë, bashkia Malësi e Madhe.

Ndërsa dy shtetasit e tjerë, janë Klement Nush Pepaj, i datëlindjes 15.01.1999, dhe Danjel Rrok Pepaj, i datëlindjes 17.09.1995, kushërinj me njëri-tjetrin, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe dhe të afërm të Vilson Çutajt…

Nga deklarimet e familjareve, deshmitarëve dhe banorëve të zonës, policia dyshon se keta shtetas jane vrarë në një zonë të thellë dhe trupat e tyre nuk janë gjetur ende.

Kërkimet në terren prej Komisariatit të Malësisë së Madhe, trupave shtesë të ardhura nga Drejtoria e Policisë Shkodër dhe te afërmve të viktimave, po vazhdojnë edhe gjatë natës…

SHKARKO APP