Gazetari: Nëse Rama fiton zgjedhjet, 40 mijë shqiptarëve do t’u prishen banesat

Gazetari Artan Hoxha ka publikuar ditën e sotme një regjistrim audio në të cilin dëgjohet sesi kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame u jep udhëzime punonjësve për të vepruar në shërbim të fushatës zgjedhore.

Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC, Hoxha tregoi se ky regjistrim është bërë para nisjes së fushatës, nga një prej të pranishmëve me celular. Nga sa shpjegoi Hoxha dhe nga se dëgjohet në audio, bëhet fjalë për rreth 100 mijë ndërtime pa leje, pronarët e të cilëve kanë aplikuar për legalizim.

“Jemi në pak a shumë në situatë të njëjtë si me rastin e patronazhistëve. Në një kohë fushate, një agjenci shtetërore kaq e rëndësishme si Kadastra, me të cilën qeveria ka bërë fushatë për një kohë të gjatë. Një mbledhje që bëhet me drejtuesit e Kadastrës. Po u jepet udhëzime si të sillen gjatë fushatës. Që puna e tyre, pavarësisht se çfarë parashikon ligji, të jetë në favor të fushatës. Janë 320 mijë dosje, aplikime për legalizim, nga këto, 150 janë mbyllur. Por ngelet shifra tjetër, pasi bëhet fjalë për 100 mijë legalizime që nuk mund të aprovohen, pasi siç e thotë edhe Lame, janë kriminale. Qartësisht Lame thotë, bëhet fjalë për ndërtime të pa lejueshme për t’u legalizuar, madje janë kriminale.’ Udhëzimi në këtë rast është që pronarëve të mos u thuhet që shtëpia e tyre nuk mund të legalizohet, por ‘duhen mbajtur varur që të mos bëhen mish për top për partinë kundërshtare. Nuk do t’u thoni, këtyre 200 mijë votues, diku 20 mandatë në Kuvendin e ardhshëm që kjo nuk bëhet, por do t’i mbajmë varur, do ketë hapësira të tjera. Nëse u themi që nuk do të legalizoni, i bëjmë mish për top për palën tjetër”,- shprehet Hoxha.

Por, nuk mbaron me kaq, Artan Lame, siç dëgjohet në audio, thotë se duhen bërë gati 20 mijë dosje që do të s’kualifikohen menjëherë pas zgjedhjeve. Pra, 20 mijë pronarëve do u thuhet që legalizimi i tyre është në proces, për të siguruar votën, dhe më pas projektet do të s’kualifikohen.

“Punonjësve u kërkohet te jenë të qartë, të saktë, bindës me qytetarët. 1/3 e ndërtimeve në Shqipëri nuk mund të legalizohen. Në këto kushte, kjo gjë nuk do t’u bëhet e qartë shqiptarëve para zgjedhjeve. Kjo bisedë merr rëndësi sepse dëshmon sesi një agjenci kaq e rëndësishme bëhet pjesë e një fushatës, dhe mundohet t’ua shesë  shqiptarëve sapunin për djathë”, -tha Hoxha.

SHKARKO APP