Gazment Bardhi kritikon ndryshimet në strukturën e Kuvendit
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mbajti një fjalim kritik në Kuvend ku denoncoi ndryshimet në strukturën e re parlamentare, duke i cilësuar si të diktuara nga Kryeministri dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.
Në fjalën e tij, Bardhi theksoi se fillimi i mandatit të kryetarit të ri të Kuvendit me shkelje të procedurave përbën një turp dhe deformim të funksionit të këtij institucioni. Ai akuzoi mazhorancën se e ka kthyer Kuvendin në një “noter të qeverisë”, duke kaluar ligje të hartuara nga interesa të ngushta dhe në dëm të publikut, përfshirë edhe ligje të përmendura në dosjet e SPAK-ut.
Sipas Bardhit, problemi kryesor nuk është numri i komisioneve parlamentare, por fakti që vendimmarrja po diktohet nga ekzekutivi, duke kapur institucionet e drejtësisë dhe tani edhe Kuvendin. Ai denoncoi ndërhyrjet e Kryeministrit në pushtetin lokal, sistemin gjyqësor dhe së fundmi në strukturën e Parlamentit, duke i quajtur këto veprime si një rrezik për demokracinë.
Bardhi ironizoi retorikën e qeverisë për integrimin europian, duke thënë se ajo përdoret si propagandë sa herë që zbulohen afera dhe koncesione. “Hapja e kapitujve është proces teknik, por mbyllja e tyre është sfida e vërtetë, dhe me këtë qeveri, është e pamundur të mbyllet asnjë kapitull, veçanërisht ato themelore,” përfundoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

