GENC DEROMEMAJ, NE AVANTAZH ME KANDIDATIN E PS-SE DHE PI NJË GOTË BIRRË ME GAZETARËT
Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Vlorës, Genc Deromemaj ka takuar gazetarët e këtij qyteti. Deromemaj ka preferuar që takimi të jetë miqësor, në një prej lokaleve të këtij qyteti, duke trokitur edhe gotat me birrë.
“Unë jam vlonjat. Kam lindur dhe jam rritur ketu. E dua Vlorën jo vetëm për 30 ditët e fushatës, por çdo ditë të saj, e denjë edhe për brezat që do të vijnë’’, u ka thënë gazetarëve Deromemaj, duke shtuar se problemet që ka ky qytet janë të mëdha.
Deromemaj do të jetë në garë me kandidatin e majtë Dritan Leli dhe kandidatin e pavarur Vasil Bedinaj.
“Të gjithë për Vlorën”, do të jetë një pakt i hapur qytetar, i cili do të vazhdojë jo thjesht për efekt fushate, por gjatë gjithë drejtimit të bashkisë. Në këtë pakt unë vendos pa kufizim tërë energjitë e mia për të parë Vlorën ndryshe dhe ashtu siç e meriton, duke qenë në luftë të papajtueshme me gjithë ata që përpiqen ta ndryshojnë natyrën dhe destinacionin e saj për interesa të ngushta, apo te momentit”, ka theksuar Deromemaj.