Gjekmarkaj: Ka ardhur koha që Shqipëria të ndryshojë qeverisje
Pritshmëritë e analistëve politikë për vitin 2020 janë të shumta aq sa edhe ambicioze. Analisti Agron Gjekmarkaj thotë se ky vit i ri është viti i opozitës, por ajo duhet të lëvizë vet për ta marrë fitoren e vet dhe të mos presë që fitorja t’i vijë dhurohet. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të parakohsshme, zgjedhje të lira e të drejta, ndaj duhen shmangur blerja e votave dhe manipulimi i rezultateve.
“Mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria të ndryshojë qeverisje, të ndryshojë mënyrën e të bërit poltikë, të ndryshojë në mënyrë radikale një pjesë të madhe të klasës politike, sepse është e vjetëruar dhe e dalë boje. Ky është viti i opozitës. Shpresoj se ajo do të prodhojë lajme në Shqipëri. Nuk kemi alternativa të tjera, ndaj them për opozitën. Kjo është koha që Shqipëria të ketë ndryshim dhe rotacion politik. Por që të ndodhë kjo, duhet që opozita duhet të investojë shumë te vetvetvetja, duhet të ndryshojë thellë vetveten. Ndryshimin opozita duhet ta bëjë duke ftuar elitat, duke u dhënë garanci atyre për promovimin e karrierës brenda partive politike.
Sepse e keqja është demokracia është vrarë brenda partive politike shqiptare pa asnjë përjashtim. Nëse e gjen këtë mekanizëm, atëherë ngjall besim te shoqëria dhe mendoj se kështu opozita mund të jetë fituese. Është e domosdoshme që Shqipëria të ndryshojë qeverisje, sepse qeverisja ekzistuese e ka ezauruar vetveten në të gjithë pikëpamjet dhe është shndërruar në një kadavër politike, që po i zë frymën çdo shprese në këtë vend” – tha zoti Gjekmarkaj.
Analisti thotë se qeveria Rama është në krizë të thellë dhe nuk hap rrugë që kriza të zgjidhet, nuk lejon hapësira për dialog dhe nuk ka mirëkuptim për asnjë zgjidhje.
“Opozita nuk mori pjesë në zgjedhje, sepse nuk mund të hynte në zgjedhje në ato kushte kur gjithnjë e më qartë, gjithnjë e më shpesh ne kuptojmë se vota në Shqipëri vidhet dhe blihet. Nëse nuk ka garanci në një sistem ku vota garantohet, nuk ka rëndësi fare nëse merr pjesë apo jo opozita, sepse rezultati do të jetë gjithnjë i trukuar dhe i pandershëm. Duhet që beteja që ka bërë opozita të mos shkojë dëm, që të sensibilizohet shoqëria dhe faktori ndërkombëtar, i cili ka qenë i njëanshëm gjatë gjithë vitit. Ata nuk e kanë lexuar mirë vjedhjen e votës në Shqipëri.
Ata kanë mbështetur kryeministrin, sepse një vit i tillë protestash, me djegien e mandateve, me largimin e opozitës nga zgjedhjet, nuk kishte asnjë qeveri që të rezistonte në Shqipëri, kjo e Edi Ramës jo e jo, por e mbajtën ndërkombëtarët. Opozita duhet të kuptojë ku e ka fuqinë Edi Rama, dhe ku e ka dobësinë vet, në mënyrë që të bëjë një rotacion të dobësisë me fuqinë; që fuqia e Ramës të shndërrohet në dobësi dhe dobësia e opozitës të shndërrohet në fuqi dhe për të përfituar atë rotacion politik, për të cilin Shqipëria ka nevojë me patjetër” – tha zoti Gjekmarkaj. /VOA/