Gjekmarkaj kundër Alibeajt: Ne kemi detyrim të japim kandidatin tonë për President

Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj deklaroi sot se duhen emra konkretë si kandidatë për president.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ndryshe nga propozimi i Enkelejd Alibeaj, Gjekmarkaj theksoi se opozita ka detyrimin moral t’i japë një kandidat alternativ vendit për president.

Unë nuk pretendoj shumë se di të bëj politikë, por pretendoj paksa që di ta lexoj atë nga një sërë profesionesh që vërtiten rreth politikës. Në optikën time ky është procesi më i çuditshëm i zgjedhjes së Presidentit. Është një proces për të cilin flasim të gjithë dhe në të njëjtën kohë nuk ka proces. Unë besoj shumë që procesi është në kokën e një individi, i cili prej natyrës për t’u argëtuar mendon se mund të argëtohet me shpenzimet e shoqërisë, të opozitës dhe të tjerëve, por është e drejta e gjithsecilit të bëjë zgjedhjet e veta. Po e filloj fjalën time nga ajo që z. Balla tha dje para mediave. A ka të drejtë maxhoranca të propozojë Presidentin e Republikës? Sigurisht që ka.

Çdo maxhorancë do ta kishte këtë të drejtë për ta propozuar sepse ka numrat dhe përgjegjësinë. Por kjo maxhorancë ka disa probleme, ka probleme me çështjen e zgjedhjeve, në raportet e DASH dhe OSBE/ODIHR dhe ka probleme me disa mandate, ku një pjesë e vogël, shpresoj të mos jenë shumë ka përfunduar dhe në qeli. Ana tjetër është mbingarkesa që kjo maxhorancë ka në pushtet. Ka totalitetin e institucioneve të vendit.

Për sa i përket rolit të opozitës në këtë histori, unë kam pasur qëndrimet e mia brenda opozitës.

Jam deklaruar që opozita ka detyrimin përballë shqiptarëve të nxjerrë emra për President. E djathta shqiptare ka emra dinjitozë sepse pas çdo emri fshihen dhe kritere dhe cilësi. Pavarësisht se qeveria i merr apo s’i merr parasysh. Opozita ka detyrimin moral t’i japë një kandidat alternativ vendit për president. Kjo përmblidhet në emra konkretë, burra dhe gra që i kanë shërbyer Shqipërisë këto 30 vite”, tha Gjekmarkaj.

 

SHKARKO APP