Gjekmarkaj: PD gati për zgjedhjet lokale, por Basha matet me zgjedhje politike
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputet i PD-së, Agron Gjekmarkaj shprehet gati për zgjedhjet e parakohshme vendore në 6 bashki, ndryshe nga drejtuesit e tjerë të partisë që deri tani kanë heshtur.
“Partia Demokratike vjen nga një proces që, nëse nuk do të masakrohej, do të ishte fituese. Ka frymë dhe ka njerëz, kështu që ne nuk i trembemi asnjë gare elektorale, kurdo që ajo të jetë. Po flisni me nënkryetarin e PD-së dhe ky është një qëndrim”, thotë Gjekmarkaj për ”A2 CNN”.
Për të nëse mbështetësit e Sali Berishës do të sfidojnë kandidatët e Lulzim Bashës në zgjedhjet e pjesshme vendore, me qëllim për t’i kërkuar atij më pas dorëheqjen, nuk do të arrijnë asgjë. “Ata që nuk mbështesin kandidatët e PD-së, sigurisht i bie që do të mbështesin kandidatët e Edi Ramës, ose të LSI-së. Zoti Basha matet me rezultate politike dhe me zgjedhje politike”.
Po ashtu Gjekmarkaj pranon se përjashtimet nga PD-ja i disa deputetëve dhe anëtarëve i kishin lënë shije të hidhur, por shpjegon përse nuk shikonte zgjidhje tjetër. ”Je i detyruar të marrësh disa vendime sado që shkaktojnë debat, e të ndjekin nga pas, por duhet t’i marrësh. Nuk mund t’i përkufizosh si të mira, apo të këqija, por logjike”.