Gjekmarkaj për shpalljen non grata të Berishës: Historia shqiptare po nxjerr në dritë se besnikët e Berishës, Ramës, Bashës janë tradhtarët më të mëdhenj

Deputeti fitues në zgjedhjet e 25 prillit Agron Gjekmarkaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, duke folur për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH, deklaroi se ky është një lajm i keq për Shqipërinë.

Gjekmarkaj vlerësoi se Berisha është simbol i lirisë dhe pluralizmit shqiptar, duke shtuar se ish-kreu i qeverisë është politikani më pro amerikan në hapësirën shqiptare.

“Unë mendoj se një kongresmen amerikan, besoj se ka aspiratë lirinë e fjalës. Si deputet, e kam një mendim që do e ndaj në këtë studio. Ajo që ka ndodhur dje është lajm i keq për Shqipërinë. Kjo sepse Berisha është simbol i lirisë dhe pluralizmit për shqiptarët. Edhe sot më rezulton se Berisha është lider pro amerikan, madje për të thënë më pro amerikani në vend e në rajon.

Personalisht, mendoj se PD është parti pro amerikane. Sali Berisha i priu një revolucioni demokratik në Shqipëri dhe ka qenë mik i presidentit amerikan. U prit si askush tjetër në Amerikë dhe priti me madhështi Bushin në Shqipëri, Sali Berisha është njeriu i integrimeve, ka marrë vlerësime të rëndësishme edhe nga administrata amerikane. Berisha nuk është model i politikanit të korruptuar. Mund të ketë pasur njerëz, që kanë qenë pranë Berishës dhe kanë përfituar. Rrufeja bie mbi lisat e gjatë është një shprehje popullore e shqiptarëve dhe ky është rasti ku shprehja gjen vend. Unë kam respekt për Berishën, nuk e fsheh këtë, kjo më bën edhe pro amerikan”, tha Gjerkmarkaj.

Agron Gjekmarkaj vlerësoi se Berisha ka thjesht rol dekorativ në PD dhe jo kryesor, siç thuhet nga kundërshtarët e tij politikë. Ai shtoi se zgjedhjet e 25 prillit u vodhën.

“Në kohën që Berisha ishte në pushtet, Kosova u shpall e pavarur. Berisha është quajtur burrë shteti nga ana e shumë amerikanëve që shërbejnë në vendin tonë. Më herët, nuk ka pasur asnjë akuzë ndaj Berishës nga ana e SHBA. Kjo më krijon konfuzion në arsyetim. Unë mendoj se kryetari i PD-së është Basha. Berisha ka rol dekorativ në PD. Kjo është ngjarje e rëndë dhe duhet të reflektojmë e të kuptojmë pse ndodhi. Po të kthehemi tek 25 prilli, janë zgjedhje të vjedhura, të manipuluara nga inxhinieri elektronike. Çdo gjë në Shqipëri tanimë kontrollohet nga një dorë. Sali Berisha kërkoi transparencë për rastin ku akuzohet dhe ky është guxim. Shoqëria shqiptare meriton transparence për çështjen”, deklaroi Gjekmarkaj.

Në fund, Gjekmarkaj tha se ka pasur abuzime edhe nga ministrat e Berishës, duke shtuar se shpesh besnikët janë tradhtarët më të mëdhenj.

“Unë mund ta them se ka pasur abuzime edhe nga ministra të Berishës. Ka një pjesë që bëjnë frikacakun e fshihen si skuthë. Historia shqiptare po nxjerr në dritë se besnikët e Berishës, Ramës, Bashës janë tradhtarët më të mëdhenj”, përmbylli Gjekmarkaj.

SHKARKO APP