Gjekmarkaj: Shtatori sjell një luftë të ndezur politike

Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, thotë se në shtator do të kemi një luftë të ndezur politike. Po ashtu ai ka folur në lidhje me akuzat e qeverisë për ish-presidentin Ilir Meta, me pretendimin për përfshirje si bashkëpunues i Sigurimit të Shtetit. Në lidhje me protestat, Gjekmarkaj nënvizon se ka shumë arsye për të dalë në shesh kundër kryeministrit Edi Rama. Kjo për mënyrën sesi vendi po qeveriset, për mbingarkesën e pushtetit dhe si e administron qeveria.

”Në shtator presim një luftë të ndezur politike sepse as vera nuk ishte paqësore. Ngjarja kryesore ishte akuzat ndaj ish-presidentit Ilir Meta për një dosje dhe Sigurimin, ngjarje që meriton analizë. Tre skenarë janë të mundshëm: Nuk ekziston një dosje, që prirem ta besoj sepse jemi në ambientin e shantazheve që edhe një burrë e bëjnë shtatzënë, e dyta është që dosja është manipuluar dhe e treta, është një dosje ku mund të ketë ose jo një bashkëpunim me Sigurimin.

Meta duhet të vërë me shpatulla për muri qeverinë që mos të akuzohet më një politikan. Meta i ka resurset që dosja nuk ekziston apo është e manipuluar. Në shtator mazhoranca sjell në skenë ligjin për bashkëpunëtor. Nuk ka deputet që do ti lejonte vetes të votonte kundër një ligji të tillë, çështja është çdo të kërkojë opozita, që fatura të paguhet jo vetëm nga bashkëpunëtorët por edhe punonjësit e Sigurimit.

Nuk e përjashtoj mundësinë që e gjitha të jetë e krijuar për të ulur vrullin e Metës pas mbarimit të mandatit të presidentit, sepse nëse do të ishte me një qasje tjetër ndaj qeverisë kjo mund të mbahej në sirtar ose nuk do të krijohej nëse nuk ishte. Meta është një lojtar i vjetër politik me ndjekësit e tij që di të bëjë politikën e tij dhe është shfaqur shumë agresiv.

Në shtator gjithçka mund të ndodhë. Nuk e shoh të afërt një qeveri teknike, por nëse ka forca madhore dhe forcë të madhe proteste kjo mund të ndodhë. Varet nga kohezionin dhe fuqia e saj mbledhëse e goditëse e opozitës. Jemi ende në fazën e deklaratave politike. Pres të ketë protesta. Në vendin tonë ka shumë për të protestuar, për mënyrën si vendi keqqeveriset, për mbingarkesën e pushtetit dhe si e administron qeveria. Çështja është sa opozita do ta motivojë protestën që qeveria të ndjejë se po i vjen fundi”.

SHKARKO APP