Gjergj Buxhuku publikon shifrat: Rritja ekonomie ishte më e lartë me taksën e sheshtë. Borxhi është dyfishuar, qytetarët sot paguajnë më shumë

Administratori i Përgjithshëm i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë (Konfindustria), Gjergj Buxhuku i ftuar në emisionin “Open” në “Top Channel”, ka komentuar modelet te taksave që janë aplikuar gjatë 4 mandateve qeverisëse të PS dhe PD. Buxhuku u shpreh se  modelet e taksave, e sheshtë apo progresive, janë qëndrime politike të opozitës dhe qeverisë të cilat janë provuar këto vite në ekonominë shqiptare.

Është koha për të provuar sesa kanë ndikuar në rritjen ekonomike dhe mirëqenien reale këto modele. Së pari, po e marrim në konceptin e rritjes ekonomike. Rritja ekonomike për 7 vite të qeverisjes së PD-së, ka qenë në shifrat 3.5 %-3.7. Në shtatë vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste rritja ekonomike ka qenë në shifrat e 2.4 dhe 2.6 %. Ky krahasim, që besoj është dukshëm i kapëshëm, bëhet në kohën kur borxhi është dyfishuar. Pra, ti merr borxh, rrit borxhin dyfish duke pretenduar  që dhe rritja ekonomike të jetë dyfish që të shlyesh këtë borxh. Ndërkohë ka ndodhur e kundërta, rritja ekonomike ka qenë 25-30 % më e lartë në kohën e Partisë Demokratike sesa në shtatë vitet e fundit të qeverisë së PS dhe borxhi ka qenë gati dy fish më i ulët”, tha Buxhuku.

Administratori i Konfindustria tha se analiza duhet bërë dhe në aspektin e të mirëqenies së qytetarëve. “Po e marrim në aspektin e mbledhjes së të ardhurave. Barra fiskale në këto vite është rritur, pavarësisht se mund të jenë ulur për shtresa të caktuara. Sepse barra fiskale nuk janë vetëm tatimet mbi të ardhurat. Mjafton të shohim vetëm taksën e naftës. Së dyti, janë rritur shumë taksat lokale. Në fund, qytetari nuk pyet se çfarë emri u vë lekëve që nxjerr nga xhepi. Ai shikon masën absolute sesa nxjerr nga xhepi. Dhe masa absolute e parave të nxjerra nga xhepi, të të gjitha shtresave edhe ata të kafes së mëngjesit, ata kanë paguar më shumë. Paguajnë me shumë realisht sot”,- Gjergj Buxhuku.

SHKARKO APP