Gjergj Luca plotëson live censin e popullsisë: Mua më pëlqejnë të gjitha fetë, po e shkruaj shqiptar
Biznesmeni Gjergj Luca që gjithmonë flet troç, i është përgjigjur procesit për numërimin e popullsisë dhe banesave në Shqipëri, që nisi këtë të hënë. Ai ka publikuar dhe një video në rrjetet sociale, te pyetjet lidhur me përkatësinë fetare.
Me nota humori, Luca thotë se te përgjigjja e tij, përsa i përket pyetjes për fenë, ka shkruar se është shqiptar. Një përgjigje të tillë u rekomandon që të shkruajnë të gjithë shqiptarët.
“Unë kam nënë myslimane, baba katolik, gruja ortodoks, një kalama e kam pagëzuar ortodoks, një tjetër sherri më ka shkuar te xhamia e lagjes që është t’u u bë një e madhe, unë iki falem në kishë dhe shkoj edhe në xhami. Ca të shkruaj unë këtu? Mua të gjithë fetë më pëlqejnë, po e shkruaj shqiptar, dhe u bëj thirrje miq që me të gjithë këtë corapllik feshë që kemi ne, që të gjithë këtu te feja të shkrujmë të gjithë shqiptarë, se ne jemi për popullin përpara dhe për atdhe, pastaj për fe. Kështu dua ta shkruaj unë këtë faqen, kalojmë te faqja tjetër”,-thotë Luca.