Gjermania zyrtare: Nuk ka negociata me Qeverinë shqiptare

Gjermania ka paralajmëruar bllokimin e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri. Pak ditë para vendimit final të Bashkimit Europian, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul, tha dje për median gjermane se Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE dhe vendet anëtare. Politikani gjerman, që është një njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri dhe ka ndërhyrë disa herë për zgjidhjen e krizës, thotë se Gjykata e Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë ende nuk janë në funksion të plotë. “Gjykata Kushtetuese ka emëruar vetëm 4 nga gjithsej 6 gjyqtarët e duhur për vendimmarrje dhe Gjykata e Lartë vetëm tre nga 19 gjyqtarët”, thotë Wadephul.

Ngritja e këtyre dy gjykatave para fundit të vitit ishte kushti kryesor i vendosur nga Bashkimi Europian. Ndërkohë politikani gjerman thekson se qeveria “Rama” ka dështuar dhe me hartimin e një reforme zgjedhore të pranueshme nga të gjitha palët. “Një pjesë e rëndësishme e saj u shfuqizua në një proces përjashtues, konkretisht, duke futur sistemin e listave të hapura, në vend të koalicioneve zgjedhore. Kjo procedurë përjashtuese bie në kundërshtim me kërkesën e Bundestagut për një proces përfshirës, i cili u rekomandua edhe nga OSBE-ja”,– tha deputeti kristiandemokrat. Kushti tjetër i fortë i BE për qeverinë ishte projekti i ligjit të debatueshëm për mediat. Qeveria “Rama” jo vetëm nuk ka hequr dorë, por ka vendosur që javët e para të muajit dhjetor të miratojë ligjin që kundërshtohet nga BE dhe gjithë organizatat ndërkombëtare të mediave.
Gjashtë muaj më parë, kur Gjermania mori presidencën e radhës së Bashkimit Europian, një nga pikat kryesore të saj ishte dhe avancimi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Diplomacia gjermane dhe ndikimi i saj në BE u angazhua në favor të Shqipërisë, por me kushtin që të plotësonte sa më shpejt çështjet kryesore për gjykatat dhe reformën zgjedhore. Këtë tolerim që ju bë nga BE, kryeministri Edi Rama e përdori si revansh për të përkeqësuar situatën politike. Reforma në drejtësi është bllokuar qëllimisht nga qeveria për të kontrolluar institucionet e reja, ndërsa reforma zgjedhore u masakrua ku qeveria ta ketë më të lehtë manipulimin e zgjedhjeve të radhës. Ndërkohë kushtet e tjera të Parlamentit Europian dhe Bundestagut për hetimin e vjedhjes së votave në vitin 2017 dhe ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta as që përmenden më nga qeveria “Rama”.

Situata politike vijon të jetë shumë herë më keq sesa vitet e tjera dhe qëllimi i qeverisë për të manipuluar zgjedhjet është shfaqur haptazi. Në këtë situatë, Gjermania nga një vend mbështetës i Shqipërisë për integrimin e saj ka shprehur hapur pakënaqësinë dhe refuzimin për mënyrën sesi po ecin gjërat në Shqipëri. Qëndrimet e Johann David Ëadephul janë cilësuar nga Partia Socialiste dhe Edi Rama si deklarata politike që vijnë nga vetëm një parti në Gjermani, e cila është anëtare e Grupit të PPE, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike. Ëadephul përfaqëson grupin parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun Gjerman, i cili ka dhe shumicën qeverisëse në Gjermani. Ndaj deklaratat e tij në një farë mënyrë janë dhe qëndrimet e vet Bundestagut. Si për të rrëzuar gjithë sajesat e rilindjes, dy ditë më parë me të njëjtën gjuhë kundër qeverisë “Rama” foli dhe Sussane Shutz, drejtore për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë duke përmendur plotësimin e kushteve.
Pas tetë vitesh në qeverisje dhe pas dështimit në plotësimin e gjithë kushteve për të gjitha vendet e BE është bërë e qartë se problemi në Shqipëri është vetëm një dhe lidhet me qeverinë “Rama”.
Një mbetet që nuk do negociatat me BE, Edi Rama.
Mili Xhani

SHKARKO APP