Gjiknuri bashkëbisedim me mësues të shkollave në Elbasan: Keni mbështetjen tonë, qeveria do vijojë investimet në arsim

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja dhe ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilluan një bashkëbisedim me mësues të shkollave “Kostandin Kristoforidhi” dhe Liceut Artistik “Onufri”. Në fjalën, Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut shprehu mirënjohjen mësuesve për sakrificat e tyre në përmbushjen e misionit. Ai theksoi se Elbasani është djepi i arsimit.

“Është gjithmonë privilegj që të urosh gëzuar 7-Marsin nga Elbasani. Elbasani, dihet, si djepi i arsimit dhe vërtet është kënaqësi për mua që ndodhem këtu. Arsimi është gjithçka. Është punë ezauruese, është punë e lodhshme po është puna më fisnike. Është investimi më i madh që ne i japim brezave nëpërmjet transmetimit të dijes. Prandaj gjithmonë duhet të jemi krenarë për këtë gjë dhe shoqëria duhet të jetë shumë borxhlije”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve siguroi mësuesit për mbështetjen e qeverisë shqiptare për vijuar investimet në arsim. “Çfarë mbjellim sot do ta korrim nesër dhe kjo është shumë e vërtetë. Le të mendojmë për të mirën e përbashkët si qytetarë. Të bëjmë më të mirën për Elbasanin. Nga kjo pikëpamje ne do punojmë të gjithë bashkë për ta bërë këtë të mundur. Qeveria shqiptare një gjë e garanton do vazhdojë të mbështesë Elbasanin me të gjitha investimet e nevojshme, patjetër pa harruar arsimin dhe sportin. Kemi dy elbasanllinj të mirë, kemi dhe Evisin kemi dhe Gledin që punojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin për ta bërë këtë të mundur përditë. Faleminderit për punën që bëni përditë dhe ju jemi borxhlinj për çdo ditë të shpenzuar në punët tuaja me brezat e ardhshëm”, tha Gjiknuri.

Sakaq kryetari i bashkisë, Gledian Llatja e vuri theksin tek investimet që janë realizuar gjatë këtyre viteve në arsim, si edhe tek projektet aktuale si edhe në të ardhmen. Kryebashkiaku Llatja nënvizoi se një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe përmirësimit të infrastrukturës arsimore, teksa u ndal dhe tek rikonstruksioni i 4 shkollave gjatë kësaj periudhe.

“Këtë vit po përgatitemi të rikonstruktojmë edhe shkollë “Naim Frashëri” si edhe atë të Treganit. Që nga viti 2018 e deri më sot ne kemi 5.7 herë buxhet më të madh si bashki për infrastrukturat tona shkollore, kopshte dhe çerdhe. Kemi rritur buxhetin për të zgjidhur problematikat që i kemi diskutuar dhe i diskutojmë bashkë. Kemi 7 shkolla në të cilat po investojmë me panele fotovoltaike, ku konsumi i energjisë mbulohet nga energjia e rinovueshme dhe kemi buxhet të caktuar për mirëmbajtjen e tyre. Paratë që kursehen nga energjia elektrike shkojnë drejtëpërdrejtë për investime në infrastrukturë dhe laboratore. Ne kemi 27 shkolla si qendra komunitare të cilat janë të hapura edhe mbasdite, sikundër kemi ecur edhe me terrenet sportive dhe po vazhdojmë, që këto shkolla të bëhen me standarte. Po rikonstruktojmë çerdhe dhe kopshte duke përmirësuar infrastrukturën tonë shkollore. Cdo vit do të vazhdojmë me rikonstruksione të plota por edhe të pjesshme”, tha Llatja. Ai përmendi edhe sigurinë në shkolla falë instalimit të një sistemi të brendshëm të kamerave.

SHKARKO APP