Damian Gjiknuri i drejtohet Berishës: Maska e ëngjëllit nuk të rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri i ka kthyer përgjigje Sali Berishës në lidhje me akuzat për sektorin energjitik. Gjiknuri thotë se Berisha sot tentoi të rikthehet në sytë e shqiptarëve si ëngjëll, ndonëse është varrmihësi i sektorit energjetik.

“Gati 9 vite pasi na la në duar “kufomën energjetike”, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si ëngjëll, ndonëse gjithësecili prej nesh e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik. Do apo nuk do, i pëlqen apo nuk i pëlqen, ai do të mbahet mend si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard USD dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes”, shprehet Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS u ndal dhe tek projekti TAP.

“Sali Berisha nënshkroi një kontratë të pafavorshme ku i vetmi përfitim ishte kalimi i tubacionit të TAP-it në territorin shqiptar. Asnjë tarifë kalimi në favor të shtetit, asnjë sasi gazi të siguruar, asnjë kapacitet transmetimi të rezervuar. Kompania Albpetrol aplikoi menjëherë në 2014 për të rezervuar kapacitetet e gazit. Nuk kishte një sasi të disponueshme gazi sepse ajo ishte e rezervuar tashmë që në 2013 nga vende të tjera të cilat kishin ditur të negocionin më mirë se qeveria e Sali Berishës.

Ndonëse të vendosur në kushte të pafavorshme nga kontrata e trashëguar e Sali Berishës, në arritëm të siguronim nga TAP një paketë prej mbi 80 milion euro përfitime shtesë mes të cilave rritjen e investimeve në komunitetet ku kalonte tubacioni, asistencën teknike në sektorin e gazit natyror dhe ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes së TAP në fazë operacionale nga pala shqiptare përmes Albgaz.

Së fundi, ndryshe nga sa gënjen Sali Berisha, Masterplani i Gazit për Shqipërinë dhe Identifikimi i Projekteve Potenciale kanë nisur të hartohen në vitin 2014 dhe kanë përfunduar në 2016 falë një financimi të Bashkimit Evropian prej 1.1 milion Euro përmes Bankës Evropiane të Investimeve”, deklaron Gjiknuri.

SHKARKO APP