Gjiknuri dhe Krifca takim me fermerët e Belshit: Qeveria ka vendosur në dispozicion 500 milionë lekë

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, njëherësh edhe drejtues politik i qarkut Elbasan, bashkë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe kryebashkiakun Arif Tafani, zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët e Belshit, për nevojat e bujqësisë dhe skemën e qeverisë shqiptare për mbështetjen buxhetore për kultivimin e grurit.

Për t’u ardhur në ndihmë prodhuesve të grurit, qeveria shqiptare ka vendosur në dispozicion 500 milionë lekë, ku të gjithë fermerët që kultivojnë grurin në tokat e tyre, mbështeten financiarisht nga qeveria me 30.000 lekë për çdo hektarë të mbjellë. Po ashtu Gjiknuri njohu fermerët me disa nga nismat e ndërmarra nga qeveria, ndërsa theksoi edhe se ndërtimi i tregut të ri agro-ushqimor do të ndihmojë në shitjen e prodhimeve bujqësore.

“Tregu i ri që do të bëhet afër qytetit të Belshit, do të jetë një vepër e re në funksion dhe në dobishmëri të gjithë zonës. Një treg i bën mirë qytetit, krijon më shumë mundësi për ju. Qeveritë duken në ditë të vështira, se kur janë mirë, të gjithë thonë fjalë të mira. Kjo është një ditë e vështirë, vështirësi të cilat kanë ardhur si rezultat i ngjarjeve që nuk varen nga ne. Shteti me këto mundësi të kufizuara, po u vjen në ndihmë fermerëve, qoftë me karburantin që tashmë është bërë dhe më vjen mirë që pjesa më e madhe e juaja ka përfituar. E njëjta gjë po ndodh edhe me grurin. Mora vesh që keni aplikuar pjesa më e madhe”.

SHKARKO APP