Gjiknuri dhe Llatja në Shelcan: Kandidati I dyshes Berisha-Meta në dëshpërim, pa asnjë plan për Elbasanin

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri dhe kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u ndalën në Shelcan të Elbasanit ku zhvilluan një bashkëbisedim me banorët për punët e bëra deri më tani dhe projektet për 4 vitet e ardhshme.

Gjiknuri tha se Shelcani ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në një atraksion të turizmit, duke gjeneruar dhe ekonominë lokale. Numri dy i socialistëve siguroi banorët se shumë shpejt do të nisë puna dhe për ujësjellësin, një kërkesë kjo e banorëve të zonës. “Po flisja dhe me Dasantilën edhe me Gledin për punën e projektit të ujësjellësit. Sa të njihem me kostot dhe me projektin unë personalisht do loboj sepse e meritoni që fshati të ketë ujë siç duhet. Është fshat historik. Është fshat që praktikisht mund t’i sjellë shumë potenciale Elbasanit, sidomos rehabilitimi i Kishës, do të futet në një nga ato vendet që do të jetë në të gjitha guidat turistike. Unë mendoj se ju jeni shumë afër qytetit dhe perspektiva është shumë e madhe”, deklaroi Gjiknuri.

Drejtuesi politik i qarkut u shpreh se PS është garancia se kryebashkiaku Llatja do të realizojë të gjithë premtimet e bëra ndaj qytetarëve. Gjiknuri theksoi se alternative përballë kërkon që ta shfrytëzojë Elbasanin për politikë. “Nga ana tjetër, gjërat që ne themi këtu janë angazhime të një ekipi politik, s’duhet ti ndajmë, pse? Ne jemi Partia Socialiste, jemi organizatë politike, kemi ekip, kemi deputeten. Pra kryetari i bashkisë nuk është vetëm, më ka mua, ka qeverinë e Edi Ramës nga mbrapa. Si do bëhen projektet e mëdha? Projektet e mëdha që foli Gledi sado vizion e dëshirë të ketë do edhe një mundësi financiare, do një bashkëpunim të mirë mes qeverisë edhe bashkisë. Gledi e realizon këtë, e garanton. Krahu tjetër nuk e garanton këtë se krahu tjetër është për përmbysje, për revolucion. I dëgjoni së çfarë thonë ata, dyshja, martesa e re Berisha – Meta. Dyshja Berisha – Meta thonë të marrim ca bashki që të fillojmë përmbysjen e qeverisë së madhe. Ky është qëllimi i tyre”, theksoi Gjiknuri.

Gjiknuri nënvizoi se vota për Bashkinë kësaj radhe është dhe votë për konsolidimin e qeverisjes e cila ka ndërmarrë një sërë politikash sociale.
“Edi Rama ka filluar ca politika të mbara për qytetarët. Rritja e rrogës në administratën shtetërore, mesatarizimi më i lartë i rrogës qoftë për mjekun, për infermierin, për mësuesin, është një garanci që të rinjtë dhe të rejat tanë që mbarojnë shkollat të kenë një mundësi që të ndërtojnë jetën këtu. E dyta, do të rritet dhe rroga mesatare edhe tek rroga private sepse kjo vjen zinxhir. Ky proces ka filluar tashmë. Mos harroni dhe një gjë tjetër, rritja e fondit të pagave sjell dhe rritjen e fondit të sigurimeve shoqërore. Vitin tjetër kur rroga mesatare, që ne synojmë ta çojmë në 900 euro, do të rrisë fondin e pensioneve. Shumë shpejt po përgatitet një 50 mijë lekësh tjetër që edhe u deklarua për dy tre muaj. Dhe këto do ti shpërndahen prapë pensionistëve”, deklaroi ai.

Ai theksoi se vota për 14 maj i jep besim më shumë kësaj force për të çuar deri në fund projektet e nisura në dobi të qytetarëve. “Të ardhurat që ka pasur nga bashkia e Elbasanit prej qytetarëve ka filluar ti hedhë në fshat. Në kanalizime, ujësjellës, rrugë. Pak nga pak vëmendja në fshat po vjen e shtohet. Kjo është ajo që themi binomi bashki – qeveri. Ne të japim projektet e mëdha, Gledi pastaj të mbulojë të gjitha nevojat që janë në çdo fshat që pak nga pak çdo fshat ta ndjejë dorën e bashkisë“, deklaroi ai.

SHKARKO APP