Gjiknuri dhe Llatja prezantojnë programin “Elbasani 2030”: Nuk ka nevojë më vendi për martesën e re Berisha-Meta dhe pinjollin e tyre
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja që më 14 maj kërkon votëbesimin për një mandat të dytë, prezantuan programin “Elbasani 2030” në një bashkëbisedim me qytetarët e Elbasanit.
Numri dy i socialistëve u shpreh se Elbasani 2030, nuk është thjesht një numër, por një vizion për zhvillimin e qytetit.
“Elbasani 2030. Nuk është thjesht një numër, është një vizion dhe këtu sot u paraqit një vizion i asaj çfarë do të thotë të ecim përpara. Elbasani duhet të ecë vetëm përpara. Të gjitha këto që u thanë këtu nuk janë fjalë, janë punë, punë të bëra dhe punë që do të bëhen. Ne nuk i besojmë fjalëve, ne i besojmë punëve. Dhe Partia Socialiste është partia e punëve, ne flasim pak dhe punojmë shumë. Mbase jemi të butë nga zëri, nuk çirremi, por forca jonë qëndron tek puna, forca jonë qëndron tek njerëzit. Prandaj jemi të gjithë bashkë ne këtë ekip të mrekullueshëm, me Gledisin si kryetar Bashkie, dhe me ekipin e këshilltarëve politikë, sepse jemi ekip, jemi gjithë bashkë”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se alternativa përballë jo vetëm që nuk ka ekip, por ka treguar se e do bashkinë e Elbasanit për ta kthyer në një bunker politik. Ai deklaroi se qytetarët e Elbasanit e kanë të qartë zgjedhjen e tyre, duke parë përpara dhe kurrë pas.
“Ata që dalin dhe ju premtojnë vetëm, gjoja që flasin dhe bukur tek për tek, mos ju besoni se janë gënjeshtarët më të mëdhenj. Në 14 maj, ballafaqohen të dy filozofitë. Nga njëra anë është kjo pemë e gjelbër që quhet Partia Socialiste dhe ecën përpara, dhe shikoni anën tjetër, e shkuara me hijet e së kaluarës që duan të na mbajnë pas. Kë do të zgjedhim ne? Do të zgjedhim ata që na çojnë përpara. Ne nuk do të zgjedhim Saliun dhe Ilirin, nuk ka nevojë më vendi për Sali dhe Ilir, për martesën e re Berisha-Meta dhe me pinjollin e tyre që e kanë sjellë në Elbasan. Jo ne kemi nevojë për të rinj dhe të reja , për njerëz intelektual qytetarë , të cilët përfaqësojnë zhvillimin dhe ekuilibrin e shoqërisë që e ka emrin Elbasan. Prandaj ne kemi zgjedhje shumë të thjeshtë, përballë thash kemi pinjollin e dyshes Berisha-Meta. Kjo është e vërteta. Do çliroj elbnasanin thotë. Po pse mor zotëri, kush e ka pushtuar Elbasanin, elbasanllijtë?! S’janë elbasanllinj të gjithë këta apo do vijë Ilir Meta dhe Sali Berisha të çlirojë Elbasanin”, tha Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri, ironizoi dyshen Berisha-Meta dhe kandidatin e tyre për Bashkinë e Elbasanit. Gjiknuri deklaroi se Elbasani riciklon skrap, por nuk riciklon njerëz.
“Unë kam një shprehje që me qejf e them kudo: Elbasani riciklon skrap nuk riciklon njerëz. Këta kanë kandiduar, kanë humbur zgjedhjet, kanë drejtues të Partisë Demokratike shumë vite, i dimë shumë mirë sesi bëheshin politikat në atë kohë, por nuk jemi për riciklim njerëzish. Për skrap po, kemi uzinat tona, sillini i përpunojmë. Njerëzit i duam të rinj e të reja të shikojnë përpara. Përpara Elbasani, fitore këtij ekipi të mrekullueshëm. Fitore Gledit, deputetëve, këshillit bashkiak, i gjithë ekipi”, tha ai.
Drejtuesi politik i qarkut Elbasan deklaroi se Gledian Llatja ka gjithë mbështetjen e qeverisë Rama për të çuar përpara projektet. “Kur flet për zhvillimin e Elbasanit duhet të kemi parasysh një gjë, zhvillimi i Elbasanit dhe gjithë këto projekte që ju shpalosën për vitin 2030, duan financim, duan mbështetje, duan projekte, duan qeverinë e Edi Ramës nga prapa”, theksoi Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve shprehu bindjen se më 14 maj, qytetarët e Elbasanit do të mbështesin PS dhe Gledian Llatjen për 4 vitet e ardhshme.
“Jam i bindur që të gjithë ne në 14 maj do t’i tregojmë të gjithë shqiptarëve se jemi pro zhvillimit, jemi pro Elbasanit, jemi pro djemve dhe vajzave tanë.
Me gjithë këtë ekip politik do bëjmë çmos që të kemi një administratë më të mirë që punon më ndershëm për qytetarët. Prandaj na falni për ndonjë gabim, na jepni mundësinë ta korrigjojmë. Rruga përpara do të thotë vetëkorrigjim. Jam i bindur që vota juaj do jetë mësim dhe ndriçim për të gjithë ne që rruga e Elbasanit, Elbasani 2030 do të shkojë përpara më i ndriçuar me Gledin, me këshillin bashkiak, me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën”, tha Gjiknuri.
Teksa shpalosi vizionin e tij për drejtimin e Elbasanin dhe listën e gjatë të projekteve, kryebashkiaku Gledian Llatja tha se për të realizuar të gjitha këto është e nevojshme një mbështetje masive për PS më 14 maj. Llatja nënvizoi se Vota për PS, do të jetë përkrahja më e madhe për projektet zhvillimore.
“Të gjithë këto punë të mira nuk bëhen dot vetëm. Konkretizimi i këtij projekti të madh kërkon që Bashkia e Elbasanit jo vetëm të drejtohet nga Partia Socialiste dhe të kemi këshillin Bashkiak në shumicë mbështetëse, por dua edhe mbështetjen e madhe të qeverisë dhe të mazhorancës socialiste për të vazhduar gjithë këto projekte të mëdha. Kjo është ajo çka ne duam të bëjmë në 14 maj, t’i themi të gjithë Shqipërisë se Elbasani nuk ndalet. Vota jonë për PS, do të jetë përkrahja më e madhe për projektet zhvillimore, do jetë përkrahja më e madhe për të gjithë mbështetjen që na është dhënë, por dhe për të ardhmen e sigurtë të Elbasanit dhe të projekteve tona zhvillimore. Unë jam i bindur se me kryeministrin, me Damianin, me Evisin, me deputetët, me të gjithë ne bashkë, në këtë 4-vjeçar, do të bëjmë punë të mira për Elbasanin, do të vazhdojmë zhvillimin e tij, do të vazhdojmë zhvillimin e qytetit dhe të fshatit, zhvillimin ekonomik, të infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Elbasanit”, theksoi kryebashkiaku Llatja.
Ai deklaroi se projekti për “Elbasanin 2030” garanton përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së jetesës së qytetarëve. “Krijimi i Parkut teknologjik SMART CITY në Labinot Fushë do të synojë rritjen e kapaciteteve teknologjike me fokus primar rininë. Do të ndërtojmë një tjetër Qendër Rinore. Do të shtojmë dhe përmirësojmë kushtet e bibliotekave në disa nga njësitë më të mëdha administrative.