Gjiknuri dhe Salla në impiantin e përpunimit dhe trajtimit të ujërave të zeza në Cërrik: Puna flet vetë
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë kryetarin e Bashkisë Andis Salla inspektuan impiantin e përpunimit dhe trajtimit të ujërave të zeza në Cërrik. Ngritja e këtij impianti në bashkëpunim dhe me qeverinë gjermane e bën Cërrikun bashkinë e parë pas pikës së kompostimit të mbetjeve të gjelbra.
Duke e cilësuar një projekt inovator, numri dy i socialistëve theksoi se ky investim është një tregues se puna e mirë e bërë nga kryebashkiaku Salla duhet të vijojë dhe pas 14 majit.
“Në fakt puna flet vetë. Kjo është dhe një nga arsyet pse Andi duhet të mbështetet, duhet të rizgjidhet si kryetar i bashkisë, për të vazhduar këto punë të mira për Cërrikun në të gjitha zonat. Edhe shkollën e shoh që e keni rikonstruktuar. Është një gjë e mirë. Këto janë ato që presin qytetarët. Falenderoj dhe partnerët gjermanë për eksperiencën, për këtë teknologji të re që pse jo të kthehet në pionere për ta aplikuar në shumë bashki të vendit. Le ta kthejmë këtë në model për ta përhapur dhe te të tjerët”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se impiante të tilla mund të shërbejnë si modele që mund të kopjohen dhe në bashki të tjera. “Kjo është një arritje goxha e mirë për bashkinë e Cërrikut sepse bëhet fjalë për mikro – sistemin që s’ka nevojë të lidhen me rrjetin e përgjithshëm të kanalizimeve të ujërave të zeza. Këto lloj impiantesh që bëhen me investime jo shumë të mëdha, mund të zbatohen në shumë zona të Shqipërisë. Pra do të jetë një model i trajtimit të ujërave të zeza. Mendoj që bashkia e Cërrikut në këtë rast prapë po kthehet në inovatore, ashtu siç u bë dhe me përpunimin e mbetjeve bujqësore në pleh organik për bujqësinë. Kjo është një zgjidhje tjetër inovative. Realisht është për t’u përgëzuar puna e bashkisë. Bashkëpunimi me autoritetet e huaja, në këtë rast me GTZ, që kanë gjetur partner bashkinë e Cërrikut. Pse jo të vazhdojmë edhe me projekte të tjera në të ardhmen.
Kryebashkiaku Andis Salla u shpreh optimist se ky bashkëpunim me qeverinë gjermane do të vijojë edhe më tej në sektorë të ndryshëm. “Uji trajtohet në katër impiantet e ndërtuara për herë të parë nga qeveria gjermane. Ne kemi ndërtuar dhe në shumë punë të tjera me qeverinë gjermane. Ky është një proces që ne për herë të parë e kemi ndërtuar në tre shkolla dhe një qendër shëndetësore. Patjetër që ne do të kemi në vazhdim bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe bashkinë Cërrik në mënyrë që ti japim zgjidhje këtij sektori kaq problematik jo vetëm për shkollat, institucionet shtetërore, por edhe banorët në tërësi për të gjithë këtë proces të plotë për të ricikluar për herë të parë të gjithë ndotjet dhe mbetjet e kanalizimeve të ujërave të zeza”, deklaroi Andis Salla.