Gjiknuri: Do të vazhdojmë transformimin e Elbasanit. Ata duan ta kthejnë në bunker politik
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit. Gledian Llatja inspektoi punimet e kryera në rrugën “Isak Shehu” dhe “Mahmut Hakani” në Rajonin 2 e cila u vjen në ndihmë mbi 500 banorëve të lagjes dhe nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Jeronim de Rada”.
Gjiknuri, që është dhe drejtues qarku, tha se ndryshimi në Elbasan është konkret me investime që kanë sjellë më shumë investim. “Ka qenë një fjalë e dhënë nga kryetari. Siç edhe e thonë banorët, këtu ka një ndryshim njëqind për qind sepse këtu ishte një terren ku ishte e vështirë të ecej. Për më tepër i shërben edhe shkollës. Këto janë punë konkrete, ndryshimi është konkret. Unë e kam parë në çdo lagje të Elbasanit. Kryetari i ka dhënë prioritet edhe këtyre zonave që kanë qenë më pak të urbanizuara”, tha Gjiknuri.
Ai siguroi banorët se puna për transformimin e Elbasanit do vijojë dhe se kryebashkiaku Llatja do të ketë mbështetjen e qeverisë për këto punë të mira. “Një gjë dua të them, me Gledin kryetar bashkie dhe me mbështetjen e qeverisë këto punë do vazhdojnë. Ne do vazhdojmë ta transformojmë qytetin përditë. Ne jemi për punë, nuk jemi për llafet apo betejat e politikës. Ne kemi një qytetar të Elbasanit, një djalë që e do qytetin, një njeri që i njeh problemet e zonës dhe që ka qëllim kryesor si e si të ndryshojë jetën e qytetarëve dhe jo të bëjë politikën e madhe siç duan disa. Kështu që, unë them që këto janë gjëra konkrete që njerëzit i shohin përditë”, tha Gjiknuri. Numri dy i socialistëve theksoi se qytetarët e Elbasanit dinë të bëjnë dallimin mes atyre që punojnë përditë dhe atyre që duan ta kthejnë qytetin në bunker politik. Gjiknuri tha se PS është e vendosur për të punuar.
Kryebashkiaku Gledian Llatja siguroi se investimet do të vijojnë në të gjithë zonat e qytetit. “Me planin që kemi, investimet do të shpërndahen në të gjithë Bashkinë e Elbasanit, jo vetëm në qendër të qytetit, jo vetëm në rajonin 1, 2 dhe 4, por në të gjithë qytetin. Faza tjetër është shtrirja në të gjithë lagjet e Elbasanit, përfshirë edhe infrastrukturën shkollore. Këtu afër kemi edhe shkollën “Onufri” e cila është në rikonstruksion total”, tha Llatja. Rruga e re ishte një kërkesë e banorëve dhe e nxënësve të shkollës “Jeronim de Rada”. Ndërkaq, pas rehabilitimit të shkollave “Sali Çeka”, “Ali Myftiu”, “Bardhyl Popa” dhe “Jeronim de Rada”, Bashkia e Elbasanit po ndërhyn dhe në dy shkollat e tjera “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Onufri”.