Gjiknuri: E ardhmja e rajonit e sigurtë, Shqipëri ka zgjedhur të jetë vend i BE-së dhe i NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri thotë se Shqipëria është e vendosur në zgjedhjen e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s. Duke folur në konferencën me temë “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës” ku merrte pjesë dhe gjenerali James L. Jones, Jr, dhe mjaft personalitete të larta të politikës, theksoi se vendi i Ballkanit Perëndimor është në familjen evropiane.

“Unë mendoj dhe iniciativat e fundit për hapjen, qoftë dhe iniciativën e Ballkanit të Hapur, megjithatë dhe ajo mund të ketë debat pasi çdo iniciativë e re mund të ketë debat, por e rëndësishme është fokusi dhe inspirimi kur vjen nga bashkëpunimi, hapja, forcimi i demokracisë, mbajtja e të njëjtave vlerave. Në fund të fundit synimi është që Shqipëria të jetë vend i Bashkimit Evropian.

E rëndësishme është si të forcojmë vlerat e botës perëndimore në këtë vend që quhet Europë, dhe ku Ballkani Perëndimor nuk duhet të shikohet si i hequr mënjanë. Përkundrazi, aty e ka historinë, aty e ka dhe perspektivën dhe unë them dhe politika shqiptare mund ta gjejë shumë mirë veten në këtë perspektivë dhe me këtë qëllim final”, deklaroi ai. Po ashtu Gjiknuri theksoi se në këto kohë të vështira është e rëndësishme të prevalojnë vlerat perëndimore.

“Po ka një element se çfarë solli të re lufta në Ukrainë apo agresioni rus në Ukrainë, është pikërisht ajo që disa filluan ta thonë, është fundi i atij globalizimit dhe demokracisë pa limit që të gjithë mendonin se do të ishte e ardhmja botërore dhe fillimi i ndarjes së botës në pole që bazohen në vlera të caktuara. Nga njëra anë janë vlerat euroatlantike perëndimore që të gjithë i pranojmë që përfaqësohen nga vendet e NATO-s, nga boshti euroatlantik, por jo kudo e shohin kështu dhe ne po shikojmë një Rusi që afrohet më shumë me Kinën.

Po shikojmë një botë tjetër arabe që dikur ka qenë shumë me Shtetet e Bashkuara, por tashmë nuk do të zgjedhë pozicionim, përkundrazi shikon oportunitetet e saj për të përfituar nga kjo situatë. Përkundrazi, Shqipëria dhe vende të tjera të vogla gjenden në udhëkryqin se çfarë zgjedhjesh do të bëjmë. Zgjedhja është e qartë, ne kemi zgjedhur të jemi vend i Bashkimit Europian, kemi zgjedhur të jemi pjesë e NATO-s, pjesë e të njëjtës infrastrukturë sigurie. Por kjo është shumë e rëndësishme që pikërisht këto vlera të prevalojnë në këto kohë të vështira””.

SHKARKO APP