Gjiknuri flet për sondazhet e PS: Në 14 maj fitojmë mbi 45 bashki, opozita është e përçarë
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri shprehet i bindur se mazhoranca do të fitojë mbi 45 bashki në zgjedhjet vendore të 14 majit. Në një intervistë për A2CNN, Gjiknuri thekson se nisur dhe nga sondazhet në terren, fitorja e PS në zgjedhje është e padiskutueshme.
“Partia Socialiste dhe nga sondazhet që kemi bërë qëndron shumë e avantazhuar, madje më tepër se çfarë mund ta kishim pritur para 2-3 muajsh nga pikëpamja e peshës elektorale, nisur nga sondazhet në terren. Unë kam thënë para ca kohësh që PS-ja nuk mund të bjerë poshtë 40 bashki, por në kushtet që jemi unë mund të them që 40 bashki nuk diskutohen, është minimumi i mundshëm. PS do të fitojë në mbi 45 bashki”,-tha Gjiknuri.
Sipas tij shumë prej kryetarëve aktualë do të rikonfirmohen për një tjetër mandat. Si drejtues i qarkut Elbasan, Gjiknuri thekson se ky qytet është transformuar nën drejtimin e PS. Ai nënvizon se oferta e opozitës për Elbasanin është një kandidaturë humbëse dhe që kërkon ta bunkerizojë këtë qytet.
“Z.Llatja është një kryetar bashkie që ka punuar shumë mirë. Ka treguar aftësinë në menaxhimin e shumë punëve të mira në qytetin e Elbasanit, është një figurë e re. Dhe të gjitha këto e bëjnë absolutisht një kandidat të pranueshëm dhe jam i bindur që do fitojë pavarësisht se PD ka ngritur pritshmëritë e saj në Elbasan duke vendosur një nga kandidaturat e saj të larta politike, por që në fund të fundit për elbasanllinjtë nuk është ndonjë figurë e re, sepse është një figurë që ka qenë dhe kryetar i PD, ka qenë kandidat në vitin 2007 i PD, kur PD ishte në pushtet dhe e humbi garën me Sejdinin. Bashkia e Elbasanit është tashmë shumë më e madhe, Elbasani ka ndryshuar shumë. Elbasani është kthyer në një kantier pasi po bëhen disa vepra të rëndësishme”, deklaroi Gjiknuri.