Gjiknuri për Reformën Zgjedhore: PD ka propozuar lista mikse. Gati ta çojmë draftin në Kuvend para 25 korrikut
Këtë të premte, përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha se opozita ka paraqitur një propozim të ri, që ka të bëjë me lista mikse.
”Sot për herë parë dëgjuam një propozim nga ana e opozitës që janë të gatshëm për kompromis që i afrohet formulës kushtetuese. Listë mikse, pjesë e mbyllur dhe pjesë e hapur pa prag. Është një gjë që duhet ta diskutojmë sa në përputhje është më vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me atë që presin qytetarët shqiptarë”, theksoi Gjinkuri.
Nga ana tjetër, ai shtoi se formula që paraqitën ka qenë më afër asaj që kërkojnë qytetarët, reflekton vendimin e Kushtetueses dhe krijon stabilitetin e duhur midis qëndrueshmërisë së listës dhe asaj që ofron kandidati.
I pyetur për mundësinë e dërgimit të një drafti në Kuvend para seancës së 25 korrikut, Gjiknuri theksoi se “nëse gjejmë kompromis për këto çështje, pse jo. Them që jemi të gatshëm dhe koha është e mjaftueshme që ekspertët të përfundojnë një draft dhe ta çojmë në Kuvend para seancës së të enjtes”.