Gjiknuri: Po i japim Dibrës njeriun që meriton
Ditën e parë si kandidati zyrtar i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës, doktor Muharem Rama e ka nisur me një përshëndetje spontane me qytetarët dhe mbështetësit në rrugët e Peshkopisë. Duke vlerësuar të përzgjedhurin e koalicionit qeverisës, ata kanë gjetur rastin ti urojnë doktorit suksese në garën e zgjedhjeve të ardhshme ndërsa e kanë shoqëruar me entuziazëm deri në godinën e selisë së Partisë Socialiste.
Në këtë dalje të parë publike, Rama shoqërohej nga kordinatori i Kryesisë së Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës, ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri.
Duke ju drejtuar qytetarëve, ministri Gjiknuri tha se Partia Socialiste zgjodhi një njeri që jeton me hallet e njerëzve, i di problemet e tyre dhe që përfaqëson interesat e komunitetit të gjërë e jo vetëm ngushtësisht një forcë politike.
“Ndryshe nga forca tjetër politike, ne nuk duam të sjellim figura të ricikluara politike që e thonë vet se janë afër pensionit por na kërkon partia për interesat e saj. Ne duam që qytetarëve të Dibrës tu japim njeriun që meritojnë, tu japim djalin e tyre dhe njeriun që i ka shërbyer popullit. Unë them se qytetarët e Dibrës, më shumë se sa një politikan që vjen thjesht për interesa politike, kërkojnë një njeri që jua di hallet, ka jetuar me hallet e tyre e që do vazhdojë të jetojë në këtë qytet”, u shpreh z.Gjiknuri.
Sipas tij, me Muharem Ramën kryebashkiak, Dibra do të ketë mbështetjen e qeverisë shqiptare për të çuar përpara e bërë realitet investimet që kanë nisur e që do të vazhdojnë.
“Kjo do të jetë fushata e qytetarëve, qytetarët le të vendosin: kanë këtu djalin e tyre që i ka shërbyer popullit; kanë dhe njerëz që kanë ikur, kanë bërë punët e tyre në Tiranë dhe tani vijnë tu kërkojnë votat për të ju gënjyer siç ju kanë gënjyer tash e 20 vjet”, insistoi z.Gjiknuri.
****
Pas takimit me qytetarët në Peshkopi, ministri Gjiknuri dhe kandidati Rama u ndalën në një takim me banorët e Maqellarës me të cilët diskutuan mbi problematikat që has komuniteti.
“Maqellaren e kam patur gjithmonë krenarinë time dhe sa herë vinin qytetarë i kam pritur dhe i kam përcjellë për 20 vjet. Kërkoj mbështetjen tuaj maksimale që të dalim me fitore te thëllë në bashki. Të tregojmë se Partia Socialiste është një parti e fortë dhe do të ketë një mbështetje maksimale. Edhe unë mund të kisha ikur, kemi qenë 8 kirurgë dhe mundësitë i kam patur të ik. Kam ndenjur për këta njerëz, për tu shërbyer si në spital edhe në Bashki dhe këtë e kam mendje të ndarë. Kërkoj ndihmën tuaj, me shpirt e me zemër të votoni masivisht dhe të na mbështetni masivisht”, u shpreh kandidati i mazhorancës z. Muharem Rama gjatë takimit me mbështetësit në Maqellarë.
Ministri Gjiknuri deklaroi se Partia Socialiste e përzgjodhi kandidaturën e saj pas një procesi të gjatë konsultimesh. “E kam ndjerë nga të gjithë njerëzit që pritja është jashtëzakonisht e mirë. Ka një avantazh sepse është djalë që jeton këtu me hallet e njerëzve. Ka punuar mirë me njerëzit dhe nuk kanë rëndësi partitë, diferencën e bën njeriu. Krahasoni njerëzit, ja ku është Muharemi dhe ku janë njerëzit që vijnë vetëm për vota nga Tirana. Partia Socialiste dëgjoi popullin, as interesat apo konjukturat e vogla. Kishim kandidatë të gatshëm dhe më erdhi mirë se këtu kemi edhe Dionisin që i dha dorën Rremës duke i thënë se është rradha jote”, theksoi z.Gjiknuri.
KOHA JONË SONDAZH

