Gjiknuri: Qytetarët janë ngopur me historitë ta kthejmë Elbasanin në kështjellë të një partie

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja inspektuan kantierin e ndërtimit për rehabilitimin e zonës së njohur si ish-Konservimi. Gjiknuri që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, nënvizoi se qytetarët e Elbasanit janë njerëz që duan punën dhe nuk duan që qyteti i tyre të kthehet në kështjellë të një partie për t’u kundërvënë qeverisë.

“Bashkia do të sistemojë të gjitha lagjet dhe Elbasani do të bëhet më i mirë dhe më i bukur. Këtë kërkojnë të gjithë qytetarët, nuk duan betejat politike të Tiranës, janë ngopur me historitë ta kthejmë Elbasanin në kështjellë të një partie për t’ju kundërvënë qeverisë. Elbasanllintë janë njerëz të punës, janë qytetarë të cilët e duan zhvillimin dhe modelin e kanë përditë nëpërmjet bashkisë, Gledit në terren dhe të gjithë ne që e mbështesim nga pas, me qëllim që të realizohen të gjitha kërkesat e qytetarëve. Ata do të na sulmojnë, por ne do të vazhdojmë punën, sepse kjo është marrëveshja jonë që kemi bërë me qytetarët”, tha ai.

Numri dy i socialistëve vuri theksin edhe tek investimet e mëdha të qeverisë shqiptare për Elbasanin, siç është Koridori i 8-të, By- Passi i ri i Elbasanit, Auto Moto Parku, shëtitorja anës lumit të Shkumbinit, e cila do të jetë një hapësirë rekreative. “Kemi qenë dëshmitarë që gjatë këtij viti në Elbasan po hapen shumë kantiere ndërtimi, po ndërhyhet në të gjitha akset, sidomos në periferi të qytetit dhe në ato lagje ku nuk ishte kryer asnjë investim, dhe kjo falë punës së mirë të bashkisë, mbështetjes së qeverisë, si edhe mirë administrimit të fondeve lokale, punës të gjithë zyrtarëve të bashkisë, të cilët në bashkëpunim me komunitetin kanë rënë dakord që të ndërhyjnë në atë infrastrukturë që edhe banorët e kërkojnë”, tha Gjiknuri.

Ai siguroi se mbështetja e qeverisë për Bashkinë e Elbasanit do të vijojë me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. “Puna flet vetë. Më vjen mirë se Gledi e ka nisur punën në mënyrë sistematike dhe mbështetja nuk do t’i mungojnë. Kjo është edhe arsyeja pse kryetari aktual kërkon të mbështetet me një mandat tjetër nga qytetarët që të vazhdojë punët e nisura të transformojë Elbasanin”, shtoi më tej Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja vuri theksin tek punët e nisura të cilat do të shtohen dhe në shumë lagje të tjera, jo vetëm brenda qytetit. ““Kemi nisur një aksion në të gjithë Elbasanin, për rehabilitimin e rrugëve, shesheve të pallateve. Ne po ndërhyjmë gati në 30 akse, kemi përdorur të gjitha formulat e mundshme, me ndihmën e qeverisë, me anë të FSHZH- së, por edhe me mbështetjen financiare buxhetore të Bashkisë së Elbasanit. Kemi ndërhyrë dhe po ndërhyjmë në shumë segmente rrugore, si në qytet edhe në fshat. Shumë shpejt po fillojmë një sërë investimesh të tjera si në qytet, ashtu dhe në zonat rurale dhe në fshat”, nënvizoi Llatja.

SHKARKO APP