Gjiknuri: S’është vepër penale të njohësh njerëz! Udhëtimet e mia janë ligjore

Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri ka folur për udhëtimet e tij në Vjenë dhe në Frankfurt duke sqaruar se i gjithë dokumentacioni është në ministri. Në një prononcim për mediat, Gjiknuri tha se përmendja e tij vlen për qëllime politike dhe nuk ka asnjë provë që tregon paligjshmëri në 2 udhëtimet e tij.

Të them të drejtën dhe po e them dhe këtu, siç e kam thënë dhe në komision hetimor, të gjitha ato udhëtime, dy se vetëm dy që kanë dalë në media të pretenduara janë udhëtime zyrtare. Ka dokumentacion përkatës në Ministrinë e Infrastrukturës. Mbase dhe prokuroria i zotëron, dhe unë personalisht I zotëroj. Nuk kam pse të bëj debat publik të nxjerr letra, por udhëtimet e mia si ministër janë të deklaruara, janë udhëtime zyrtare dhe nuk kam vajtur as për qejf, as kam bredh me njerëz të cilët ju mund të pretendoni për lidhje të caktuara. Përsa I përket rolit tim si ministër, roli im si ministër nuk ka asnjë shkelje ligjore në asnjë procedurë, e para njëherë i kam shpjeguar dhe në komision hetimor rolin që ka pasur ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë. Nuk ka dalë dikush që të citojë një shkelje të ligjit nga unë si ministër në ushtrimin e detyrës sime. Firmosja e një akti të qeverisë nuk përbën pavarësisht nga pretendimet apo hamendësitë që mund të ketë në lidhje me këto procedura, nuk përbën as vepër penale dhe as shpërdorim detyre sepse çdo ministër përgjigjet për atributin e zyrës që përfaqëson dhe nuk është qeveria organizatë kriminale. përkundrazi, qeveria është një institucion i organizuar ku secili ministër shpreh mendimet e tij dhe ushtron funksionin sipas detyrës që ka. Mos e bëni hetimin penal apo akuzat sikur po hetojmë pacientin zero. Njeh këtë, ky ka takuar atë dhe secili paska marrë virusin. Bëhet fjalë për akte zyrtare dhe pasoja konkrete. Lidhjet rastësore me persona apo njohjet nuk kanë asnjë lloj vlere për pretendimet që ngrihen. Ju thashë me Arben Ahmetaj kam bërë udhëtime se ka qenë ministër, ka qenë koleg dhe për të dy udhëtimet e cituara konsultohuni, drejtojuni dhe ju si gazetarë Ministrisë së Energjisë, merrni informacionin zyrtar, a ka urdhër shërbimi dhe a ka dokumentacion shoqërues. Aty janë dokumentet dhe do të dalin, kur të thërritem do të jap shpjegimet. Në detyrën time kam zbatuar ligjin, nuk ka asgjë për t’u çuditur, akuza politike dhe akuzat kuazipenale, kanë vite që ngrihen ndaj meje. Jua kam sqaruar në komision hetimor dhe në lidhje me njohjet. Dhe të njohësh njerëz nuk është krim”, thekson Gjiknuri.

SHKARKO APP