Gjiknuri shërben drekën për njerëzit në nevojë: Qeveria paketë për mbështetjen ekonomike
Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Elbasanit zgjodhi të shtrojë drekë në qendrën sociale Balashe për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato. I shoqëruar dhe nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, drekës iu bashkuan dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i cili dha lajmin e mirë të miratimit të mbështetjes ekonomike për shtresat në nevojë.
”Shumë shpejt si qeveri do të fillojmë dhe paketën e mbështetjes ekonomike përsëri për arsye që ju e dini që rritja e çmimeve, kriza ndërkombëtare ka ndikuar dhe në nivelin e jetesës. Qeveria e ka menduar që të fillojë ta aplikojë direkt në vjeshtë dhënien e mbështetjes financiare për njerëzit në nevojë”.
Gjiknuri vlerësoi dhe kontributin e Bashkisë së Elbasanit për ata që janë në vështirë. “Sot pamë një shembull të mirë. Bashkia e Elbasanit do t’ju vijë në ndihmë familjeve në nevojë dhe me dru zjarri. Do ta japë bashkia me çmim minimal, jo sa e shesin tregtarët. Edhe kjo është një ndihmesë dhe është një politikë e mirëfilltë sociale”, nënvizoi Gjiknuri.
Qendra Sociale Balashe ofron shërbime ditore të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar. Krahas një vakti të ngrohtë, kjo qendër ofron dhe shërbime të tjera çdo ditë.