Gjiknuri shmang Komisionin e Posaçëm: Puna jonë mbaroi, draftin e “Zgjedhores” sot e dorëzoj në Kuvend!

Dita e dorëzimit në Kuvend e draftit të zgjedhores i gjen dy përfaqësuesit politik të PS dhe PD më të relaksuar. Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi e konsiderojnë të mbyllur punën për pikat e dakordësuara në tryezë.  “Drafti është në përfundim e sipër, kanë ngelur disa cështje teknike, duket ta mbyllim sot  pasi  ditën e sotme skadon afati i komisionit të reformës zgjedhore”, shprehet Gjiknuri.

Ndonëse sot i skadon afati Komisionit parlamentar, Damian Gjiknuri për Report tv thotë se drafti i dalë nga tryeza do të dorëzohet gjithsesi në Kuvend, duke konsideruar si mundësi shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve. “Kuvendi të vendosë nëse do i shtyhet mandati i komisionit të reformës zgjedhore, apo drafti do shqyrtohet në rrugë normale, në komisionin e ligjeve për të vajtur në seancë.  Sic e dini nuk është se në komisionin e reformës zgjedhore pritet input maksimal, jo se duhet të neglizhoj  rëndësinë e punës së tyre por ky është një draft tashmë i dakordësuar, i punuar teknikisht, dhe cështjet që ka pasur opozita jashtëparlamentare dhe parlamentare janë adresuar. Nga kjo pikëpamje nuk shoh rrezik për miratimin e kodit zgjedhor për rrugën që do zgjedhë”, tha përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri.

Tashmë sfida e radhës për mazhorancën nuk është me PD por me opozitën në Kuvend që ka kushtëzuar votën e saj. “Ne nuk i kemi të gjitha mandatet, kështu që do luftojmë për konsensus për votën në Kuvend”, shprehet përfaqësuesi i PS.

Shtatori do e gjejë KQZ-në të riformatuar dhe me anëtarë të rinj.  “Menjëherë pasi ligji hyn në fuqi, brenda 30 ditësh fillojnë procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Synimi është që maksimumi në shtator këta individë duhet të jenë të zgjedhur”, thotë Gjiknuri per Report Tv.

Gjiknuri shmang Komisionin e Posaçëm: Puna jonë mbaroi, ‘Zgjedhoren’ sot e dorëzoj në Kuvend!

SHKARKO APP