Gjiknuri tregon bisedën me demokratin: Alternativa përballë nuk ka asnjë program për Elbasanin. Gledian Llatja ka gjithë mbështetjen e Ramës
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me banorët e fshatit Godolesh në Njësinë Administrative Labinot Fushë. Teksa kërkoi mbështetjen për PS dhe kryebashkiakun Gledian Llatja, Gjiknuri u ndal dhe në bisedën me një demokrat.
“Para se të vija takova një demokrat aty, një mikun tim. ”O Damian”, më tha mua, ”pse shkon kot aty në Godolesh”? Pse i thashë? ”Çfarëdo të bësh ti aty”, më tha, ata votojnë për ne. Unë në fakt u bëra kurioz, po pyesja Gledin. Më tha Gledi se kemi bërë punë aty, kurse PD thotë e kam “në xhep” Godoleshin, s’kam nevojë të vij aty. Në fakt s’më erdhi mirë. Në fakt ky djali këtu e ka treguar me vepra që ka bërë ca punë siç edhe ujësjellësi që është gati aty për të filluar. Këto janë gjëra konkrete. Atëherë pse s’po mblidhemi njëherë si fshat, flas për një nga ju, për të dhënë një shembull me një djalë të ri energjik, që pavarësisht se nuk i keni dhënë mbështetjen, ka ditur t’u respektojë me punë. Pse ata duhet t’ju kenë “në xhep”? S’kanë bërë asnjë gjë, mendojnë që Godoleshin do ta kenë gjithmonë “në xhep” dhe ndërkohë këta që punojnë, vijnë, japin një premtim, bëjnë diçka, nuk e marrin mbrapsht këtë”, tha Gjiknuri.
Drejtuesi politik i qarkut Elbasan nënvizoi se alternative përballë nuk ka asnjë projekt dhe vizion për Elbasanin. Gjiknuri dhe se ndryshe nga kandidati I Berishës dhe Metës, Gledian Llatja vjen me një vizion dhe mbështetjen e plotë të Edi Ramës dhe të PS. “Alternativa tjetër nuk ka ndonjë gjë. Alternativë Berishë-Metë është. Nuk ka asnjë program ai për Elbasanin. As financim s’ka, as projekte s’ka. Ideja e tij, sa të marr bashkinë thotë, të punësoj ca militantë e të fillojë të bëjë atë llogoren politike. Pra të bëjë atë bunkerin politik, të zbatojë porositë e Ilir Metës dhe Sali Berishës në Elbasan. Ndërkohë Gledi ka Edi Ramën me vete, më ka mua, ka gjithë këtë ekip politik”, tha ai.
Gjiknuri listoi dhe një sërë projektesh të rëndësishme të parashikuara për Bashkinë Elbasan dhe domosdoshmërinë që vota të mos shkojë dëm. “Këto gjëra që bëhen këtu bëhen edhe falë mbështetjes së qeverisë shqiptare. Duke mundësuar financimin e projekteve të Bashkisë Elbasan, gjërat e mëdha, rehabilitimin e kalasë, shëtitoren, rrugët e këto të tjerat, taksat e qytetarëve të rikthehen për Godoleshin e për shumë fshatra të tjera. Diku një ujësjellës, diku një rrugë. Kemi qeverinë e Edi Ramës nga mbrapa, kemi Partinë Socialiste, por mbi të gjitha vlerësoni respektin me punë”, deklaroi numri dy i socialistëve.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja përmendi disa nga investimet në kryera në zonë, si sistemimi i rrugës kryesore që lidh Godoleshin me qytetin, rrugët e arave për të bërë të mundur nxjerrjen e qershisë në treg etj. Por sfida jonë kryesore, tha Llatja, është krijimi i Grupit Vendor i cili do t’u vijë në ndihmë fermerëve me certifikimin e produkteve të tyre dhe nxjerrjen në treg.
“Duam të bëjmë një pikë grumbullimi për frutat, do vazhdojmë të bëjmë një pikë për konservimin. Ne kemi ngritur si bashki grupin e veprimit vendor. Grupi i veprimit vendor është një grupim ku janë pjesë fermerët, bizneset që merren kryesisht me bujqësinë dhe pushteti vendor, bashkia, por edhe faktorët e tjerë të qeverisjes qendrore. E kemi krijuar me vendim të Këshillit Bashkiak në janar të vitit 2023, është regjistruar me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe qëllimi i vetëm është që ne si bashki të kemi mundësi që, atë punë që nuk e bëni dot ju fermerët që të bashkoheni dhe të hapni një pikë grumbullimi, ne të dalim garant financiarisht nëse kërkohen fonde nga ne dhe ju të keni mundësinë t’i përdorni në mënyrë të drejtë e të barabartë, të bashkuar në federata bujqësore”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.
Këto nevoja që neve kemi, Grupi i Veprimit Vendor këtë ka si qëllim, e para duhet laboratori i certifikimit, e dyta të bëjë ambalazhimin e tyre dhe absolutisht pastaj tregu është i sigurt. Edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Bukurosh Stafa, teksa kërkoi mbështetje për Gledian Llaten në krye të bashkisë dhe këshilltarët socialistë, vuri në dukje përkushtimin dhe investimet e bashkisë në 4 vite.