Gjiknuri zbardh detaje nga diskutimet me ambasadorët: Të gjithë dolëm të fituar, u pranuan kërkesat e opozitës
Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, zbuloi nga foltorja e Kuvendit detaje nga diskutimet e tejzgjatura të dy ditëve të fundit mes palëve politike dhe ambasadorëve të SHBA, Yuri Kim, BE, Luigi Soreca, Britanisë, Duncan Nornam, dhe OSBE, Bernd Borchardt.
Gjiknuri deklaroi se është arritur një marrëveshje e mirë mes palëve, ku asnjëri nuk ka humbur, por të gjithë kanë dalë të fituar. Sipas Gjiknurit, janë pranuar shumica e kërkesave të opozitës, që nga identifikimi elektronik, trajnimi i komisionerëve, etj.
“Kam detyrimin politik për të informuar lidhur me procesin që ka marrë vëmendjen këto ditë. Nuk meritonte ta merrte atë vëmendje dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve, pasi shqiptarët duhet të merreshin vesh vetë. Falënderoj ndërkomëbtarët që na mbështetën për të arritur një marrëveshje të mirë, ku asnjë nuk humbi, po të gjithë dolën të fituar. Me pak fjalë edhe kërkesa e opozitës ka qenë menaxhimi i mirë i zgjedhjeve. Ne pranuam kërkesën e opozitës për identifikimin, duke pranuar që personi që merret me këtë të zgjidhet nga opozita.
Nga ana tjetër, ka qenë skena e nëpunësve, që do të jetë me detyrim të shkojnë në trajnimin zgjedhor. Trajnimi do të jetë një skenë e hapur që do të mbikëqyret nga përfaqësuesi i opozitës, që do të ngarkohet posacërisht me këtë punë.
Komisionerët do të caktohen me short, do jenë 3 zyrtarë që do të menaxhojnë procesin, që do të kenë dhe dy observues politikë. Përtej kësaj, kërkesa e opozitës ka qenë edhe për garanci shtesë për procesin. Do të jenë dy numërues zyrtarë të përzgjedhur rastësisht me short, dhe përfaqësues politikë. Kanë kërkuar monitorim në cdo qendër votimi dhe iu është dhënë kjo.
Puna e çdo numëruesi është e verifikueshme. Ndëshkimi nuk është vetëm penal, por përjashtohen përjetësisht nga shërbimi civil dhe pjesëmarrja në procese pune.
Nga ana tjetër, të gjitha kërkesat shqetësuese të opozitës, qoftë për rolin e policisë, qoftë për atë të prokurorisë, janë pranuar. Qeveria teknike nuk mund të ishte kërkesë, dhe më vjen mirë që opozita reflektoi për këtë. U qartësuan edhe shumë pika të tjera dhe më vjen mirë opozita ka ardhur aty ku është.
Ky do të jetë procesi i parë në Shqipëri që do të mundësojë një votim të pastër në vend. Ajo që është hedhur për emigrantët, ne votën e emigrantëve e kemi deleguar që KQZ të mundësojë votimin në distancë. Procedurat do të zgjidhen me akte nënligjore. Me një menaxhim politik, Shqipëria ka mundësi të bëjë zgjedhjet më të mira seç ka bërë më parë. Vota e tyre nuk do të preket. Ky kod i ri jam i bindur që do ta garantojë këtë”, tha Gjiknuri.