Gjiknuri: Zgjedhjet parlamentare mund të mbahen në prill të 2021-it. Do prekim dhe Kushtetutën
Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit Zgjedhor në emisioni në Report tv, “5 pyetje nga Babaramo”, në lidhje me Kodin Zgjedhor është shprehur se mendohet një spostim i zgjedhjeve në periudhën prill-maj ose tetor-nëntor.
Gjithashtu ka shtuar se edhe opozita ka rënë dakort me këtë, duke mos pasur kundërshtime. “Ka një dakordsi për të ndryshuar datën e zgjedhjeve, duke hequr muajt e nxehtë, qershorin, shtatorin si muaj potencialë zgjedhjesh, sepse realisht klima po ngrohet dhe vëmendja është tek turizmi, temperaturat janë të tilla që nuk lejojnë një fushatë të qetë”- është shprehur Gjiknuri.
Ai tha se do të vazhdohet me çështjet e mbetura, ku do të diskutohet të mërkurën në mbledhjen e ardhshme.
“Do t’i dëgjojmë të gjithë, pasi të gjitha palët janë me të drejta reale të barabarta. I kemi nisur disa pyetje ekspertëve nëse ndryshimet prekin Kushtetutën dhe do të shikohet se si do të qasemi. Sistemi aktual është shumë i mirë, nëse nuk arrijmë të gjejmë konsensus, do të jemi të gatshme të bëjmë kompromis. Hapja e listave mund të sjellë tensione të brendshme, ku secila parti të krijojnë koalicione sipas peshës”, ka thënë ai.
Sipas Gjiknurit, PD ka kërkuar duke i quajtur shumë të rëndësishme garancitë për ata që denoncojnë krime zgjedhore, duke i dhënë imunitet atyre.
“Mendohet edhe përfshirja e teknologjisë në zgjedhje apo identifikimin e zgjedhësve apo për shkeljet që bëhen. Jemi dakord të përfshijmë çfarë ka kërkuar opozita, por problemi është sa mund ta shtrijmë. Nëse është e pamundur, nuk mund të vihen zgjedhjet në pikëpyetje se nuk funksionon teknologjia. Ka forma alternative tradicionale, nëse nuk funksionin teknologjia, por do të marrim opinionin e ODHIR se sa mund ta shtrijmë”, është shprehur ai.
Gjiknuri theksoi se është rënë dakord për të reduktuar financimet private dhe të zëvendësohen me ato shtetërore gjatë periudhës së zgjedhjeve.
KOHA JONË SONDAZH

