Gjikuria: Programe specifike për infrastrukturën dhe rrjetin rrugor. Tavo: 4 gushti, mundësi për të na bashkuar

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Himarës në zgjedhjet që do të mbahen këtë të dielë, Vangjel Tavo thotë se 4 gushti është një mundësi për të na bashkuar. Në një mesazh për banorët e Himarës, Tavo theksoi se do punojnë së bashku në shërbim të Himarës.

”4 gushti nuk është thjesht zgjedhje, por zgjidhje për të gjitha shqetësimet dhe nevojat tuaja. Unë ju premtoj se pas 4 gushtit Himara do ketë avokatin e vet në të gjitha institucionet shtetërore, e më tej. Si kryetar i Bashkisë, unë ju zotohem se Bashkia e Himarës do jetë Bashkia juaj. Dhe dera e zyrës sime do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë ju”, theksoi Tavo. Për më tepër, për të një e ardhme më e mirë, më e paqtë, më e bashkuar dhe më e begatë, na pret përpara për Himarën. ”Ju jam mirënjohës për mbështetjen tuaj. E ndihem thellësisht i nderuar që do ju shërbej si Kryetar i Bashkisë së Himarës”, u shpreh Tavo.

Kurse kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria zhvilloi takime me banorët e Fterrës dhe Çorrajt. Gjatë takimit ai u parashtroi atyre programin e tij për infrastrukturën dhe rrjetin rrugor. Gjikuria në një postim në rrjetet sociale ka ndarë detaje nga ndalesa në Fterrë dhe Çorraj.

”Një problem tjetër madhor i këtyre fshatrave është rruga, e cila duhet të bëhet e aksesueshme si për banorët, ashtu edhe për turistët që vizitojnë këto zona. Më treguan edhe rastin e vdekjes së një zonje të cilën u detyruan ta trasportojnë me krahë deri në Borsh. Është e padurueshme të shikoj pamje të tilla dhe të dëgjoj të tilla raste në vitin 2024. Ata që janë përgjegjës për këtë duhet t’u vijë turp. Kanë edhe kurajë të shkojnë të kërkojnë votat e këtyre banorëve. Me mandatin e dhënë nga shumica e qytetarëve, që ditën e nesërme të marrjes së detyrës do të filloj zbatimin e programit të Fredi Belerit që u votua me shumicë në 2023, program i cili ka parashikime specifike për infrastrukturën dhe rrjetin rrugor. Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur”, shkruan Gjikuria.

SHKARKO APP